Në studion e ABC së Mëngjesit vjen një nga mendjet më të spikatura të humorit shqiptar, Arjan Çuliqi, regjisor, skenarist, aktor dhe producent, që për dekada me radhë ka vendosur Shqipërinë nën “skanerin” e satirës dhe të qeshurës inteligjente. Pas shumë prej telekomedive më të dashura për publikun shqiptar, qëndron pikërisht ai, një artist që e ka ndërtuar karrierën mbi vëzhgimin e hollë të realitetit dhe fuqinë për ta kthyer të përditshmen në batuta që i rezistojnë kohës.
“Fëmijëria ime ka qenë shumë e thjeshtë”, rrëfen ai. Një rrugë e zakonshme, një familje e madhe dhe një pasion i hershëm për humorin dhe imitimin, pa e ditur ende se kjo do të bëhej rruga e jetës së tij. Aktrimi erdhi natyrshëm, si një lidhje e pashmangshme me skenën, që më pas u forcua në Akademi dhe u kalit përfundimisht në teatër “shkolla që nuk mbaron kurrë”.
Për Çuliqin, teatri është themeli i çdo aktori: aty lind disiplina, përgjegjësia dhe kontakti i drejtpërdrejtë me publikun. Një publik që, sipas tij, është tepër i ndjeshëm dhe e dallon menjëherë sinqeritetin nga artifici.
Edhe pse i identifikuar gjerësisht me humorin, ai nuk e ka kufizuar kurrë veten vetëm në të qeshurën. “Rëndësi ka e vërteta brenda rolit”, thotë ai, duke theksuar se një personazh funksionon vetëm kur është i besueshëm, qoftë komik apo dramatik. Batutat e tij nuk janë thjesht fjalë për të bërë njerëzit të qeshin. Ato lindin nga realiteti, nga rruga, nga jeta e përditshme shqiptare. Janë të thjeshta, spontane dhe mbi të gjitha, të vërteta. Dhe pikërisht kjo i bën të paharrueshme.
Në një periudhë të vështirë për vendin, ai realizoi për dhjetë vite me radhë filma komikë, pa asnjë fitim monetar. Një sakrificë e rrallë në emër të artit, që dëshmon se për të, humori nuk është thjesht profesion, por mision. Nga “Pak fresk sonte”, te “Borxhliu”, “Një baba tepër” apo “Dashuri me krisma”, veprat e tij kanë trajtuar plagë reale të shoqërisë shqiptare: varfërinë, mashtrimet, borxhet, emigracionin, absurditetin politik dhe krizën morale. Një humor i zi që nuk shmang dhimbjen, por e përball dhe e transformon në reflektim.
Arjan Çuliqi mbetet një nga zërat më autentikë të skenës shqiptare, një artist që nuk i ka bërë kompromis së vërtetës dhe që ka provuar se edhe në kohët më të vështira, e qeshura mund të jetë forma më e fortë e rezistencës.


