Kategoria Superiore nis këtë të shtunë sprintin final drejt mbylljes së sezonit të rregullt. Në vetëm tetë ditë, deri të dielën e javës së ardhshme janë në program tre ndeshjet e fundit, që do të japin edhe verdiktet e para të edicionit 2025/2026, për t’i lënë vendin më pas “final four” dhe play out.
Deri atëherë, në tre sfidat e mbetura janë dy gara të hapura dhe shumë të forta, ajo për vendin e katërt që diskutohet mes Dinamo City dhe Partizanit dhe ajo për mbijetesën. Për të parën, derbi në distancë do të vendosë vetëm për një biletë për Europën, pasi diferenca me kryesuesit e bën thuajse të pamundur objektivin titull.
Duke nisur nga kjo e shtunë, të dyja skuadrat e kryeqytetit nuk mund të bëjnë hapa fals. Blutë e Ilir Dajës do të lujnë në shtëpi kundër Egnatias, ndërsa të kuqtë presin Flamurtarin pas shkarkimit të trajnerit Oltijon Kërnaja.
Por gara më e zjarrtë në këtë fund të sezonit të rregullt bëhet për mbijetesën. Fitoret në javët e fundit të skuadrave që rrezikojnë, ndonjëherë shumë larg pritshmërive, e kanë kthyer çështjen e mbijetesës në një garë pesëshe. Nga Flamurtari i vendit të fundit deri te Teuta e vendit të gjashtë diferenca është vetëm gjashtë pikë.
Në javën e 34-rt, të pesta këto skuadra kanë sfida të vështira në letër. Përballje direkte është ajo mes Teutës dhe Tiranës, ku bardheblutë zbresin në fushë me moralin lart pas strishës së fitoreve që kulmuan në derbin me Partizanin.
Skuadrat e tjera që kërkojnë shpëtimin gjithashtu kanë sfida të vështira. Vora luan në shtëpi kundër kryesuesëve të Elbasanit, Bylis viziton Vllazninë në Shkodër, ndërsa Flamurtari luan në kryeqytet kundër Partizanit. Të gjitha ndeshjet e mbetura, duke nisur nga kjo e shtunë do të zhvillohen në të njëtin orar./abcnews.al


