Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

  • Po 58%
  • ⁠Jo 42%
Loading ... Loading ...
 

“Gjyqtarët në Hagë u kthyen në prokurorë”/ Avokati i popullit në Kosovë publikon raportin e organizatës britanike

schedule16:50 - 30 Prill, 2026

schedule 16:50 - 30 Prill, 2026

Trupi gjykues në Hagë ka funksionuar si një prokuror i dytë.

Ky është konkluzioni i raportit të organizatës britanike The Bar Human Rights Committee of England and Ëales (BHRC), i prezantuar të enjten nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj në Kosovë.

Ai ngrin pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.



Një nga kritikat është roli i zgjeruar i gjyqtarëve, i cili – sipas raportit – rrezikon të cenojë parimin themelor të një gjykimi të drejtë: barazinë mes palëve.

Raporti vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes.

Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen.

Të dhënat tregojnë një disproporcion të dukshëm: deri në nëntor 2024, gjyqtarët kaluan 71 orë duke pyetur dëshmitarët – më shumë se secili ekip mbrojtës veçmas. Ndërkohë, mbrojtja është detyruar të shpenzojë mbi 31 orë shtesë për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga vetë gjyqtarët, ndërsa prokuroria vetëm 12 minuta. Kjo pabarazi, sipas raportit, e vendos mbrojtjen në një pozitë strukturore të pafavorshme.

Një tjetër element problematik është mënyra e formulimit të pyetjeve, duke sugjeruar përgjigjen.

Megjithatë, raporti nuk konstaton drejtpërdrejt shkelje të drejtësisë, por thekson se kushtet për një gjë të tillë janë të pranishme dhe disa prej tyre tashmë janë materializuar në praktikë.

Në thelb, dilema që ngrihet është e qartë: kur gjyqtari fillon të bëjë më shumë se sa të gjykojë, a mbetet procesi ende i barabartë për palët?

Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve.

Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhet të jepet brenda 90 ditëve – më 19 maj, nëse togat e zeza nuk kërkojnë kohë shtesë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!