Një studim i ri i publikuar në “JAMA Network Open” sjell të dhëna të rëndësishme mbi pasojat afatgjata të goditjes ishemike në tru, duke treguar se ashpërsia e episodit fillestar ndikon drejtpërdrejt në rrezikun për demencë dhe rënie të njohjes në vitet që pasojnë.
Studimi përfshiu 42,342 të rritur pa histori të mëparshme të goditjes në tru apo demencës.
Gjatë ndjekjes, 1,505 persona përjetuan një goditje të parë ishemike, ndërsa për 1,055 prej tyre u analizua edhe ashpërsia e episodit.
Ndjekja zgjati deri në 30 vjet, duke u dhënë studiuesve mundësinë të vëzhgonin evolucionin afatgjatë të funksionit të trurit.
Rezultatet treguan një lidhje të qartë: sa më e rëndë të ishte goditja në tru, aq më i lartë ishte rreziku i zhvillimit të demencës.
Përveç rritjes së rrezikut për demencë, studiuesit vunë re se pacientët përjetonin edhe një përkeqësim më të shpejtë të funksioneve njohëse, përfshirë kujtesën, aftësinë për përqendrim dhe funksionet ekzekutive si planifikimi dhe vendimmarrja.
Autorja kryesore e studimit, Deborah A. Levine, theksoi se këto gjetje nënvizojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm të funksionit njohës dhe menaxhim aktiv të faktorëve të rrezikut tek të gjithë pacientët që kanë kaluar një goditje në tru.
Ndërkohë, bashkautorja Mellanie V. Springer vuri në dukje se edhe goditjet e lehta nuk duhet të nënvlerësohen, pasi ato mund të dëmtojnë strukturën dhe rrjetet e trurit, duke ulur “rezervën njohëse” dhe duke e bërë trurin më të ndjeshëm ndaj përkeqësimit me kalimin e kohës.
Ekspertët theksojnë se faktorë si hipertensioni, diabeti dhe nivelet e larta të sheqerit në gjak luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces, duke e bërë të domosdoshëm kontrollin e tyre pas episodit.
Në përfundim, studimi tregon se goditja në tru nuk është vetëm një ngjarje akute, por një faktor që mund të përshpejtojë dëmtimin afatgjatë të trurit.
Prandaj, përveç trajtimit emergjent, kujdesi pasues dhe parandalimi mbeten thelbësore për ruajtjen e cilësisë së jetës së pacientëve.


