Nuk ka president. Në minutat e fundit të 28 prillit, kohë e lënë në dispozicion nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon sërish në zgjedhje, të tretat në radhë brenda 2 vitesh.
Analisti Agon Maliqi u shpreh se kryeministri Kurti mund të synojë të lodhë elektoratin dhe opozitën përmes të njëjtës qasje si në bllokimin e vitit 2025, duke tentuar të forcojë kontrollin mbi institucionet. Ai shtoi se zgjedhjet e 7 qershorit mund të sjellin dobësim të pozitave të Kurtit dhe nevojë për koalicion, ndërsa zhvillimet rreth rastit të Thaçit mund t’i japin shpresë opozitës.
“Vitin e fundit Kurti e ka lexuar bllokimin 2025, ndoshta ka marrë guxim dhe mendon se me të njëjtën mënyrë mund të lodhë elektoratin dhe opozitën dhe ta detyrojë të kontrollojë institucionet dhe të nënshtrohen. Kurti viktimizohet, fajëson opozitën. Nuk mund të ketë ndonjë përmbysje të madhe, por mund të ketë rikalibrim të partive; Kurti mund të ketë nevojë për partner për të formuar qeverinë.
Janë të tretat zgjedhje parlamentare, është e mundshme të kemi një rënie dhe pozitat e Kurtit mund të dobësohen dhe mund t’i duhet koalicion. Data e zgjedhjeve është 7 qershori dhe është më pak e favorshme për Kurtin për elementin e diasporës.
Në mes të fushatës mund të ketë ndonjë verdikt për rastin e Thaçit, që i ka afatet deri më 19 maj. Këto elemente mund t’i japin pak shpresë opozitës.”


