Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e 11-të të Nismës së Tre Deteve, të zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, aty ku lindi kjo platformë nga 13 vende anëtare të Bashkimit Evropian.
“Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por front strategjik i Evropës”, – theksoi Kreu i Shtetit në fjalën e tij me fokus rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Begaj e cilësoi këtë iniciativë si një histori suksesi që është shndërruar në një platformë konkrete për zhvillim:
“Një dekadë nuk është një kohë e gjatë në histori, por është e mjaftueshme për të testuar idetë. Sot kjo platformë po prodhon lidhje reale, investime reale dhe ndikim real”.
Kreu i Shtetit nënvizoi se Evropa ndodhet në një moment vendimtar dhe kërkon më shumë se koordinim:
“Gjeopolitika, pasiguria ekonomike dhe transformimet në energji dhe teknologji kërkojnë jo vetëm koordinim, por lidership; jo vetëm qëndrueshmëri, por vizion”.
Në lidhje me procesin e integrimit, Presidenti i Republikës theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim për të ardhmen: “Integrimi i rajonit tonë nuk është një çështje dytësore, por pjesë e zgjidhjes për një Evropë më të sigurt dhe më konkurruese”.
Duke folur për Shqipërinë, Presidenti Begaj vuri në dukje rëndësinë e lidhshmërisë dhe projekteve infrastrukturore: “Lidhshmëria nuk është një qëllim abstrakt. Ajo përcakton se si rriten ekonomitë dhe si zhvillohen rajonet”.
Presidenti i Republikës përmendi projekte konkrete në energji dhe transport, duke i cilësuar ato si transformuese:
“Këto nuk janë thjesht projekte infrastrukturore, por instrumente transformimi që krijojnë stabilitet dhe tërheqin investime”.
Në fund, Kreu i Shtetit rikonfirmoi objektivin strategjik të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian: “Anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mbetet busulla jonë strategjike”.


