Një gjykatë siriane ka zhvilluar të dielën seancën e parë dëgjimore në gjyqin e sundimtarit të rrëzuar Bashar al-Assad dhe figurave të larta nga regjimi i tij, njëri prej të cilëve u paraqit personalisht.
Assad dhe vëllai i tij, Maher janë larguar nga Siria dhe do të gjykohen në mungesë, por një nga të afërmit e tyre, ish-zyrtari i sigurisë, Atif Najib, ishte në bankën e të akuzuarve me pranga.
“Sot fillojmë gjyqet e para të drejtësisë tranzicionale në Siri. Kjo përfshin një të pandehur në paraburgim, të pranishëm në bankën e të akuzuarve, si dhe të pandehur që i janë larguar drejtësisë”, deklaroi gjyqtari Fakhr al-Din al-Aryan, derisa hapi seancën.
Një burim gjyqësor, duke folur në kushte anonimiteti, i tha AFP-së se procedurat shënuan fillimin e përgatitjeve për gjyqet e al-Assad, vëllait të tij dhe figurave të tjera të shquara si Najib.
Najib, i cili u arrestua në janar 2025, pas rënies së regjimit të al-Assad, u paraqit në gjykatë në Damask. Ai akuzohet se ka udhëhequr një fushatë të gjerë shtypjeje dhe arrestimesh.
Më parë ai drejtoi degën e sigurisë politike të Sirisë në provincën jugore të Daraa-s, ku shpërtheu për herë të parë kryengritja e Sirisë në vitin 2011.
Protestat u përballën me një goditje brutale qeveritare dhe u shndërruan në një luftë civile 14-vjeçare që përfundoi me rrëzimin e Assadit në dhjetor 2024, në një ofensivë të rrufeshme rebele.


