Një atentat me armë zjarri ka tronditur qendrën e fshatit Balldren, ku kanë mbetur të vrarë dy bashkëshortë.
Viktimat janë identifikuar si Kreshnik Mujeci 39 vjeç dhe bashkëshortja e tij Gentiana Mujeci 32 vjeç, banues ne fshatin Koljakaj te Lezhës. Ata po udhëtonin me një automjet tip Audi, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri armësh automatike.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit, Kreshnik Mujeci, ka humbur jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra, ndërsa bashkëshortja e tij, që ndodhej në vendin e pasagjerit, ka ndërruar jetë gjithashtu nga të shtënat.
Pas krimit, autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka ngritur postoblloqe në rrugët që lidhin Balldren me superstradën dhe zonën e Malit të Jushit, në përpjekje për kapjen e tyre.
Në zonë ndodhen disa kamera sigurie, të cilat janë sekuestruar nga grupi hetimor për t’u analizuar, me qëllim identifikimin e autorëve. Nga hetimet paraprake dyshohet se autorët kanë pasur informacion për lëvizjet e çiftit dhe u kanë zënë pritë në anë të djathte te rrugës Balldren Torovicë, duke hapur zjarr sapo automjeti është afruar.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me gjakmarrjen, pasi Kreshnik Mujeci dyshohej si i përfshirë në vrasjen e Genc Mhillaj, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016 në zonën e Malit të Jushit.
Policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorëve, duke ushtruar kontrolle në zonën ndërmjet Balldrenit dhe Malit të Jushit, si dhe në disa banesa në zonën e Malecajve, ku më herët ka jetuar familja e viktimës së vitit 2016.


