Është padyshim “macja e zezë” për ish-kampionët.
Denverit nuk I ecën aq shumë mbarë kur ka përballë Minesota Timbërullvsin, dhe askush nuk e ka harruar eliminimin dy vjet më parë në gjysmëfinalen e Konferencës Perëndimore.
Këtë herë dy ekipet po luajnë që në raundin e parë të plej ofit, e ndonëse Denveri po luante në fushën e vet, nuk e mbrojti dot këtë epërsi.
Në ndeshjen e dytë, Minesota ia doli 119-115 në një përballje shumë të fortë dhe me emocione, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Dy ndeshjet e tjera do të jenë pikërisht në fushën e të mbiquajturve “ujqërit”.
E gjitha kjo, ndonëse vendasit e nisën shumë mirë.
Nën udhëheqjen e kapitenit Nikola Jokiç, Nagets fitoi periodën e parë me shifrat 39-25.
Në të dytën gjithçka u kthye përmbys, madje në mënyrë identike.
Minesota fitoi po 39-25 duke barazuar rezultatin në pushim.
Edhe pse skuadra nga Kolorado ishte paksa më lart të periodën e tretë, të fituar me tri pikë epërsi, në të katërtën Entoni Eduards me shokë ishin të papërmbajtshëm, për rezultatin final 119-115.
Eduards pati 30 pikë dhe shtoi 10 topa në tabela, 2 asistë, një vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh.
Qendra veterane, Xhulius Randëll e ndihmoi me 24 pikë, 9 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa 6 basketbollistë të Minesotës shënuan mbi 10 pikë.
Për Denverin, Jokiç iu afrua tripëll dabëllit me 24 pikë, 15 topa në tabela e 8 asistë, Xhamal Marrej shënoi 30 pikë, por kjo nuk mjaftoi.
Në ndeshjet e tjera të plej ofit, Klivlend Kavaliers mundi Toronton 115-105 dhe kryeson 2-0 në raundin e parë të plej ofit, ndërsa Nju Jorku u mund në shtëpi nga Atlanta, 107-106 dhe rezultati u barazua në 1-1.


