TIRANË– Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar urdhrin e kryepolicit Skënder Hita për ndalimin e patrullave të policisë nga verifikimet rutinë në akset kombëtare.
Sipas Karamuços, në të kaluarën kanë ekzistuar praktika problematike brenda strukturave të Policisë Rrugore, ku drejtues të caktuar fokusoheshin më shumë te vendosja e gjobave dhe presioni ndaj vartësve për të siguruar shuma parash se te respektimi i sigurisë rrugore.
Karamuço vuri në dukje se sot, sidomos në akset kombëtare, ekziston teknologjia e nevojshme për monitorimin e qarkullimit rrugor, përfshirë matjen e shpejtësisë dhe fotografimin e mjeteve, çka sipas tij e bën të panevojshëm ndalimin e drejtuesve të mjeteve për kontrolle rutinë.
Në përfundim, eksperti e cilësoi si një hap pozitiv heqjen e kësaj praktike, duke theksuar se ndalimet për verifikim janë përdorur për të nxjerrë përfitime të paligjshme, të cilat më pas u kaloheshin drejtuesve, në të kundërt të rrezikut për humbjen e vendit të punës.
“Ne kemi pasur shefa të rrugores që nuk i kanë pasur në vëmendje këto gjëra dhe janë fokusuar te vendosja e gjobave ndaj vartësve të tyre, deri në 500 euro. Madje u kërkohej që çdo datë 1 të sillnin 500 euro për shefin, ndërkohë që shoqëronin persona në kërkim me fenelina. Ky problem u bë fillimisht politik dhe më pas kaloi edhe te organet ligjzbatuese.
Që në ditën e parë më është thënë se drejtori e ka dhënë urdhrin verbal, dhe më pas, rreth një javë më vonë, ai është zbardhur dhe u është dërguar komisariateve të policisë.
Sot, sidomos në akset kombëtare, ne kemi teknologjinë e nevojshme, e cila bën matjen e shpejtësisë dhe fotografimin e mjeteve. Nuk ka më arsye që policët të qëndrojnë në rrugë, sidomos për verifikime, sepse verifikimi shpesh nënkupton korrupsion. Nëse ka një shkelje, qytetari duhet të ndalohet për atë shkelje dhe të gjobitet direkt.
Nuk duhet të kërkohen më dokumente thjesht për kontroll rutinë. Ato 500 euro që policët u jepnin shefave të tyre ishin pjesë e kësaj skeme: ndalonin për verifikim për të nxjerrë para, që më pas t’ia dorëzonin shefit, pasi në të kundërt rrezikonin vendin e punës. Kjo ishte një praktikë korruptive dhe më në fund u hoq.”, tha ai./abcnews.al


