Banorët e Thumanës kanë protestuar sot pasi bonusi i ofruar nga bashkia është i pamjaftueshëm për të marrë shtëpi me qira. Bëhet fjalë për banorët e dy pallateve të shembura, të cilët pas 26 nëntorit u strehuan në hotelet e Shëngjinit. Nga data 3 janar, ata janë urdhëruar të lirojnë hotelet. Pranë tyre ishte demokratja Lindita Metaliaj, e cila tha se shteti po i vret për së dyti këta qytetarë.
“Qeveria e paaftë dhe e dështuar tashmë sillet në mënyrë kriminale me qytetarët e saj! Sot përfaqësues nga Bashkia Krujë u kanë kërkuar banorëve të firmosin për të dalë nga ambientet e hotelit ku strehohen dhe të kërkojnë banesa me qera duke ju ofruar vetem 30 mijë lekë të vjetra për frymë. Kjo sjellje kriminale dëshmon edhe njëherë braktisjen e këtyre banorëve duke tentuar ti hedhin në rrugë, pa mbështetje e përkrahje nga shteti i falimentuar i propagandës dhe i hajdutërise!”, deklaroi ish-deputetja demokrate.
Ndërkohë vetë banorët shprehen të revoltuar pasi bonusi i ofruar nga bashkia e Krujës, është minimal. “Na vijnë disa nga Bashkia e Krujës… Çfarë të bëj me atë bonus, dua që të më strehojë shteti. Ku do shkojmë me aq lek, jam interesuar për shpi me qira dhe çmimi është 250 mijë lekë (të vjetra) në muaj”, thotë njëri prej banorëve.
Një tjetër banor shprehet: “Gjakun tonë e lamë brenda nën rrënoja, dhe sot po dalim në 4 rrugët. Ne do qendrojmë në grevë urie, as nuk hamë as nuk pimë derisa të vijë shteti këtu. Unë e kam punën në Tiranë në privat. Marr 9 mijë lekë në ditë, gjysma më shkon rrugë. Unë nuk e pranoj bonusin. Më ka vra termeti, po më vret edhe shteti”./abcnews.al
Lexo edhe: PROTESTA/ Refuzojnë bonusin e qirasë, banorët e Thumanës: Do futemi në grevë