Neurokirurgu Gentian Toshkezi ka rrëfyer për rrugëtimin e tij profesional dhe jetësor, duke u larguar nga Shqipëria 24 vjet më parë fillimisht në Francë dhe më pas në SHBA, ku u përball me sfida të mëdha për të ndërtuar karrierën.
Ai theksoi se studimet në Tiranë me medalje të artë dhe specializimi në Francë i dhanë shtysë për t’u bërë konkurrues në fushën e neurokirurgjisë dhe për të arritur objektivat e tij profesionale.
Toshkezi shprehet se sot ndihet i realizuar në karrierë dhe familje, por mbetet i lidhur me Shqipërinë dhe e mendon shpesh rikthimin në vendlindje.
“Jam larguar 24 vjet më parë, fillimisht në Francë dhe vendosa të shkoj në SHBA me një vizë turisti. Ishin ëndrrat rinore për të njohur botën dhe për të gjetur vetveten në botën e madhe. Teknikat kirurgjikale ishin pararojë krahasuar me Francën dhe ishte intriguese për mua për ta provuar; ka qenë e mundimshme fillimisht për mua. Kur shkon me ëndrra dhe sheh një realitet të vështirë, duhet të rikrijosh vetveten.
Universitetin e kam mbaruar në Tiranë në vitin 2000 me medalje të artë, më pas jam larguar në Francë për një specializim që kontribuoi tek unë për të më dhënë shtysë dhe për të qenë konkurrues me specializantë të tjerë. Unë isha kërkues ndaj vetes dhe kisha dëshirën të tentoja për të arritur më tej; sot e përkufizoj veten si një njeri që kam realizuar objektivat që kam pasur.
Atje kam bashkëshorten nga Korça dhe dy djem, 16 dhe 11 vjeç. Do të doja që ata ta flisnin shqipen po aq mirë sa unë, por ndikimi i jetës atje ka një absorbim; megjithatë ata e adhurojnë Shqipërinë. Rikthimin e mendoj shpesh, e kam menduar që kur kam ikur; mendoja që gjithmonë kam një vend që më pret.” / abcnews.al /


