GJIROKASTËR- Bunkerizimi që ndodhi masivisht në vendin tonë në fillim të viteve ’70, do të shtrihej edhe në Gjirokastër, e madje në qendrën historike të qytetit, atë të pazarit karakteristik.
I konceptuar si një vendstrehim për byronë e lartë politike, por edhe vendosjen e shtabit ushtarak, ky bunker-tunel konsiderohet si një prej më të veçantëve në vendin tonë.
Për të hyrë brenda tij, duhet të kalojmë 4 dyer betoni I cilësisë më të lartë të prodhimit të asaj kohe.
Në formën e një labirinthi, në këtë tunel ndodhen rreth 50 dhoma, ku ende në dyert e tyre ruhen mbishkrimet se kujt pushtetari apo sektori I përkisnin.
Projekti konsiderohet madhështor ndërsa vlera e tij, vështirë se mund të llogaritet, por sigurisht ka qenë marramendëse, sidomos për kohën kur është ndërtuar. Me një gjatësi prej 800 metrash, ky tunel lidhte komitetin e partisë me komitetin ekzekutiv, ku në rast sulmi, të gjithë do të drejtoheshin drejt këtij tuneli, I përbërë nga katër hyrje dalje, një prej të cilave poshtë kështjellës Argjiro, që do shërbente për largimin e personave në rastin më të keq.
Sot ky tunel është kthyer në muze dhe vizitohet nga një numër I lartë turistësh, sidomos të huaj. Për të ofruar një panoramë sa më të qartë se çfarë ndodhte në Shqipëri gjatë sistemit komunist, Agjencia e Trashëgimisë Kulturore I ka shtuar këtij muzeu edhe stendën ku ekspozohen disa prej titujve të veprave të ndryshme letrarë, të autorëve vendas apo të huaj, të cilët ironikisht edhe ata ishin të bunkerizuar për lexuesit.
Qindra banorë të Gjirokastrës apo vizitorë, çdo ditë përshkojnë dhe shijojnë pamjen fantastike të pazarit karakteristik, por pa ditur apo menduar se po ecin pikërisht mbi një vendstrehim politiko-ushtarak.
Në vitin 1997 edhe ky tunel ra pre e grabitjeve, ndërsa Agjencia e Trashëgimisë po përpiqet të pasurojë këtë muze me dokumentacion historik përkatës apo sende të ndryshme që I përkasin asaj periudhe duke e bërë atë edhe më të vizitueshëm/abcnews.al


