Tashmë askush nuk mund t’i ndalë. Yjet e ekipit më të mirë të Italisë, Interit, lanë pas një zhgënjim të futbollit të lavdishëm të kaltër, me eliminimin total nga kupat e Europës, duke treguar se jeta vazhdon.
Zikaltërit fituan 3-0 ndaj Kaljarit në stadiumin “San Siro”, duke u shkëputur në 12 pikë nga ndjekësja më e afërt, Napoli kampion në fuqi, i cili do ta luajë këtë të shtunë ndeshjen e javës së 33-të.
Kur duhen edhe 5 javë deri në përfundim, “skudeto” duket i qepur fort në fanelë.
Lombardët e trajnerit Kristian Kivu shpërthyen pas pushimit, pas një pjese të parë anonime.
E qartë se diferenca nga rivalët I bëri zikaltërit që ta merrnin lehtë. Në pjesën e dytë shënuan Markus Turam në 52’, Nikolo Barela në 56’ dhe polaku Piotr Zielinski në minutën e dytë shtesë.
Epërsia ishte e qartë dhe e padiskutueshme. Vendasit bënë 17 gjuajtje drejt portës kaljaritane, nga të cilët 5 në kuadrat, ndërsa miqtë nuk e gjetën kurrë portën dhe pse provuan 9 herë.
Fitore e merituar dhe kryesim i renditjes së Serisë A me 78 pikë ndaj 66 të Napolit, kur në dispozicion janë edhe 15 pikë gjithsej.
Interi e tregon klasin më të lartë se rivalët me 78 gola të shënuar, shumë më tepër se cilido kundërshtar, pasi napolitanët kanë vetëm 48 gola, Komo 57 e Juventus 55.


