VIDEO/ Shemben shkollat që kushtuan 1 milionë euro, PD i kërkon prokurorisë të nisë hetimet

schedule16:40 - 28 Dhjetor, 2019

schedule 16:40 - 28 Dhjetor, 2019

Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë të hetojë abuzimin me fondet për dy shkolla në Thumanë, të cilat u rrëzuan pas tërmetit të 26 nëntorit. Ish-deputetja Albana Vokshi dhe Sekretari ligjor, Çlirim Gjata, thonë se të dyja godinat e shkollave ishin rikonstruktuar 1 muaj më parë me fonde që prekin shifrën e 1 milionë eurove.

Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit që i mori jetën 51 personave, Partia Demokratike ka sjellë fakte të reja të pasojave katastrofike që lëkundjet do të kishin sjellë nëse do të kishin ardhur dia orë më vonë. Ky është Dashamir Hidraliu, në pallatet e rrëzuara në Thumanë ai nxorri nga rrënojat motrën dhe nipin e tij dhe sot është vendosur krahë ish-deputetes Albana Vokshi dhe Sekretarit Ligjor të demokratëve, Çlirim Gjata për të rrëfyer atë që ndodhi me shkollën “Ramazan Jangozi” në Thumanë.

“Shkolla ka qenë dy katëshe dhe rikonstruksioni para 1 muaji e gjyshëm ka mbaruar. Sa janë fondet e dinë ata… U shemb pjesërisht nga termeti dhe 1 ditë më pas më 27 Nentor, nga dreka s’ka pas asnjë tullë. E kanë pastruar dhe mbuluar me çakull”, shprehet Dashamir Hidraliu, banor i Thumanës.

 

Për Vokshin, tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë nxorri në pah abuzimin me fondet publike, ndërkohë që i kërkoi prokurorisë të hetojë për një ngjarje që mund të rriste përmasat e tragjedisë. “Ky është akt i pastër kriminal… kjo shkollë nuk ekziston edhe gjithë dokumentacioni i tendetrit është zhdukur nga sistemi”, deklaroi Vokshi.

I njëjti fat me të njëjtat përmasa abuzimi është edhe ai i shkollës së mesme të bashkuar në Fshatin Borizanë, e cila sipas ekspertëve duhet të shmebet. “Shkolla e Borizanës ka të njëjtën specifike si ajo e Thumanës. U rikonstruktua me 615 milionë lekë dhe tani është jashtë funksionit”, tha Gjata.

Demokratët kërkojnë që për prishjen e provave por edhe për çdo abuzim me punimet të hetohen përgjegjësit.

Përmes një vendimi të kreut të demokratëve Basha, ish-deputetë dhe kryetarë të degëve lokale të Partisë Demokratike janë në terren për të konstatuar dëmet dhe mënyrën se si po menaxhohet situate pas tërmetit nga qeveria. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!