Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, sipërmarrësi Përparim Nishori theksoi rëndësinë e orientimit të diasporës drejt investimeve kapitale, duke i konsideruar ato si më të sigurta dhe të kontrolluara. Ai solli si shembull modelin francez, ku investimet mbështeten nga mekanizma shtetërorë dhe garanci bankare, duke rritur besimin e investitorëve. Sipas Nishorit, një tjetër sektor me potencial të lartë mbetet turizmi, ku bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat është thelbësor për zhvillim të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj vuri në dukje se diaspora nuk sjell vetëm kapital financiar, por edhe përvojë dhe njohuri të fituara në vendet ku jeton dhe punon. Ajo theksoi se ky transferim eksperiencash ndihmon në rritjen e kapaciteteve dhe përgatitjes së shoqërisë shqiptare, duke përmirësuar cilësinë e integrimit dhe afrimin me standardet ndërkombëtare.
Përparim Nishori: Është shumë e rëndësishme që për fushën ku jemi, diaspora duhet të jetë e orientuar ku duhet të investojnë. Investimet kapitale. Objektet kanë një siguri, kanë masa kontrolli. Franca e ka një mekanizëm që është i plotë dhe kur e ka për investime kapitale e ka me bankën shtetërore. Garancia është ajo që i jepet investitorit. Turizmi, aty duhet të jetë partneriteti i sektorit publik-privat.
Teuta Nunaj: Diaspora sjell një lloj eksperience, sepse ata janë të integruar atje ku Shqipëria, kërkon që të integrohet. Të gjitha njohuritë, përvojat dhe transferimet kualifikohen do të thotë që rritet përgatitja në tërësi i integrimit të shoqërisë. Kjo do ta rrisë cilësinë dhe më tepër qasjen për të qenë më afër pjesës integruese.


