Analisti Plator Nesturi ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme vizitën e kryeministrit Edi Rama në Romë, duke theksuar rolin kyç që Italia ka luajtur historikisht në mbështetje të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
I ftuar “Tirana Live” në ABC News, Nesturi u shpreh se kjo vizitë vjen në një moment delikat për procesin e integrimit, ndërsa shtoi se Italia mbetet një partner strategjik dhe një zë i fortë në familjen europiane në favor të Shqipërisë. Sipas tij, përveç dimensionit politik, takimet pritet të fokusohen edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe atë ushtarak, duke e bërë këtë vizitë një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e agjendës europiane të vendit.
“Italia ka qenë gjithmonë një avokate e Shqipërisë në rrugën drejt BE. Vizita e kryeministrit Edi Rama në Romë ka një rëndësi të madhe për Shqipërinë. Këto janë elemente të cilat, Italia duke qenë një anëtare e familjes europiane, janë çështje që vetë Rama mund t’i shqyrtojë. Çështjet e integrimit kanë një rëndësi shumë të madhe.
Pjesëmarrja në samitin në Spanjë, është një rast i mirë. Por, Italia ka edhe një rëndësi tjetër sepse është jo vetëm një partnerë strategjik, një vend mik që ka qenë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e integrimit. Edhe çështjet që do të trajtohen do të jenë në sektorin e ekonomisë më tepër. Me rëndësi bisedimet në kuadrin ushtarak mes vendeve. Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme dhe e vëmendshëm në të gjitha situatat”, tha analisti.


