Ishte trofeu i tij i parë i këtij niveli në këtë sipërfaqe. Janik Siner fitoi Turneun Masters ATP 1000 në Montekarlo duke ia dalë në një finale të ashpër ndaj spanjollit Karlos Alkaraz.
Me këtë sukses, italiani rifitoi edhe vendin e parë në renditjen botërore të tenisit për meshkuj, duke rikuperuar mbi 3800 pikë në një periudhë shumë të shkurtër kohorë.
Njëzetekatërvjeçari ia doli pas dy orësh e 15 minutave, 2-0 me sete, me rezultatin 7-6 e 6-3. Seti I parë ishte tepër i fortë dhe i ekuilibruar, ndërsa në të dytin, spanjolli nuk e përballoi dot ritmin e rivalit.
Kjo, edhe pse luhej në fushë me dhe të ngjeshur, në të cilin Alkaraz cilësohej më I favorizuar duke qenë spanjoll dhe i traditës së Rafael Nadalit. Ky ishte titulli I katërt radhazi ATP Masters 1000 për Sinerin, diçka që tek djemtë e kanë arritur më parë vetëm legjendat e mëdha Gjokoviç e Nadal.
Po ashtu, ishte titulli I dytë radhazi Masters pas atij në Majemi, diçka që e ka bërë vetëm Nole. Natyrisht, italiani ka më pak Grand Sleme sesa Alkarazi, 4 ndaj 7 të përfaqësuesit të “Furive të Kuqe”, por ndoshta kjo mund të ndryshojë në të ardhmen, duke nisur nga “Rolan Garosi” i Parisit./abcnews.al


