E pamundur të refuzohet këtë herë. Interi ka qenë skuadra më e mirë në Itali që kur ia doli të merrte titullin me Antonio Konten në 2021, veçse tifozët I ka zhgënjyer kaq shumë herë.
Duket se nuk do të jetë më kështu. Fitorja spektakolare 4-3 në fushën e Komos, e stilit të një ndeshjeje në Angli apo Gjermani, bëri që zikaltërit të shkëputen në 9 pikë nga rivalët, të cilët duken të dorëzuar.
Edhe më shumë sesa suksesi, flet arritja e tij me përmbysje, madje pasi Komo vendase kryesoi 2-0 në fundin e pjesës së parë.
Trajneri Kristian Kivu, një rumun dhe një pasardhës mesa duket i denjë i legjendave Luçesku e Jordanesku, I ka dhënë ekipit një karakter të fortë, siç e ka pasur edhe vetë kur ishte në fushë.
Dy lojtarë shënuan nga dy gola, Markus Turam dhe Denzel Damfris, dhe rezultati shkoi në 4-2 për miqtë, madje me katër rrjeta në vetëm 27 minuta.
Nuk vlejtën për “Hirushen” e Serisë A golat nga Aleks Vaje, Niko Paz dhe Da Kunja me penallti.
Fitorja ishte e merituar, por edhe e vështirë në derbin e vogël lombard, pasi vendasit bënë plot 23 goditje ndaj 8 të miqve dhe mbajtën topin 59 për qind të kohës.
“La Gazeta delo Sport” ia jep vendin kryesor Janik Sinerit që u kthye numri 1 I botës në tenis, ndërsa për zikaltërit komenton: Titulli në horizont! Inter me përmbysje të madhe në Komo!
E njëjta logjikë nga “Il Korriere delo Sport” që e quan fitoren e Sinerit, “Botërori ynë”! Seria A ka një kënd të vogël poshtë: Inter, titulli në xhep!
Shkëputja e zikaltërve u ndihmua edhe nga gabimet e rivalëve.
Napoli ngeci në stadiumin “Tardini” të Parmës në barazim 1-1, një ditë pasi Milani pësoi disfatën e turpshme 0-3 në fushën e vet ndaj Udinezes.
Inter kryeson Serinë A me 75 pikë ndaj 66 të Napolit e 63 të Milanit, kur duhen edhe 6 javë deri në përfundim.


