Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, ka dhënë këtë të shtunë, më 11 prill, një mesazh për besimtarët ortodoksë, në prag të së dielës së Pashkëve. Ai vë në dukje rëndësinë e paqes, faljes dhe forcës shpirtërore në një realitet botëror që, sipas tij, karakterizohet nga konflikte dhe pasiguri të shumta.
Në mesazhin me titull “Paqja e Krishtit të Ngjallur në një botë të trazuar”, Kryepeshkopi ndalet te përshëndetja e parë e Krishtit pas Ngjalljes: “Paqe në ju”. Duke sjellë në vëmendje edhe rrugëtimin historik të Kishës Ortodokse në Shqipëri, ai rikujton periudhën e vështirë të persekutimeve dhe shkatërrimeve gjatë komunizmit, duke e konsideruar ringritjen e saj si një dëshmi të gjallë të fuqisë së besimit dhe të Ngjalljes.
Në fund të mesazhit, Joani u bën thirrje besimtarëve që të angazhohen si “paqebërës” në shoqëri.
“Le t’i përgjigjemi, pra, thirrjes: ‘Paqe në ju’ me të gjithë jetën tonë. Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh”, shprehet ai.
Kujtojmë se në vigjilje të Pashkës, mijëra besimtarë ortodoksë në mbarë vendin u mblodhën për të ndjekur daljen e Epitafit, ceremoninë më të rëndësishme të së Premtes së Madhe, që simbolizon vuajtjet, kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit.
Ndërkohë, në mesnatën e sotme, besimtarët pritet të mblidhen sërish për të pritur dritën e shenjtë dhe për të shpallur lajmin e madh të Ringjalljes së Krishtit.