Investimet për ndërtimin dhe transformimin e infrastrukturës arsimore në vend, vijojnë.
Shkolla “22 Tetori” në Berat është një tjetër dëshmi konkrete e kësaj qasjeje, mjedisi i së cilës po transformohet në një hapësirë moderne dhe dinjitoze për të rinjtë, në këtë qytet me tradita të hershme arsimdashëse.
Gjatë inspektimit të punimeve, Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Berat, u njoh nga afër me progresin e realizuar, ndërsa vizitoi edhe mjediset e reja sportive, tashmë drejt përfundimit.
Ky investim vjen në vijim të ndërhyrjeve të suksesshme, si rindërtimi i gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, duke krijuar një rrjet institucionesh arsimore bashkëkohore.
Shkolla “22 Tetori” do të mirëpresë rreth 500 nxënës, të cilët do të përfitojnë nga klasa moderne, laboratorë të pajisur, ambiente “smartlab” dhe palestër sportive, duke krijuar një mjedis që nxit cilësinë në arsim dhe zhvillimin e aftësive praktike.
Përtej funksionit tradicional, projekti parashikon edhe hapësira të dedikuara për artin dhe zejet, duke e shndërruar shkollën në një qendër komunitare multifunksionale. Ky model synon të forcojë lidhjen mes shkollës dhe komunitetit, duke e kthyer arsimin në një shtyllë kyçe të zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.


