Procesi gjyqësor “Plumbi i Artë” vijon të prodhojë përplasje të ashpra mes avokatëve dhe trupës gjykuese në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.
Mbrojtja ligjore e Altin Ndocit, person i cilësuar me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë, sidomos pas arratisjes nga spitali rajonal i Durrësit në janar të këtij viti, kërkoi këtë të enjte përjashtimin e trupës gjykuese, me argumentin se ata nuk u përgjigjen kërkesave të tyre.
Avokatja Elda Zotaj përsëriti kërkesën për thirrjen e disa dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor, për të vërtetuar sipas saj pafajësinë e Altin Ndocit. Kjo e fundit bëri sërish kërkesë për përjashtim të trupit gjykues dhe u shpreh se do ti drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjitha institucioneve të tjera pasi sipas saj po shkelet ligji dhe se togat e zeza kanë shpërdorur detyrën.
Avokatja e Altin Ndocit braktisi sallën pas debatit të ashpër me treshen e gjyqtarëve, teksa kryesuesja e seancës e zëvendësoi atë me një avokat kryesisht.
Në procesin e kësaj të enjte u paraqitën në cilësinë e dëshmitarëve disa persona që u thirrën nga pala mbrojtëse. Njëra prej tyre ishte bashkëshortja e Fatos Gosës, e cila u pyet rreth vrasjes së Andi Zylyfit, ngjarje e shënuar në muajin dhjetor të 2019 në Peqin.
Genta Gosa mohoi që bashkëshorti i saj të ishte i përfshirë në këtë ngjarje, teksa pohoi se mes familjes së saj dhe familjes së viktimës marrëdhëniet kanë qenë të mira dhe aspak konfliktuale.


