British Airways shënon 20 vite fluturime mes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Londrës, duke shënuar dy dekada lidhjeje mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe rrjetit global të kompanisë ajrore.
Që nga nisja e fluturimeve në vitin 2006, “British Airways” ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë dy dekadave të fundit, linja Londër–Tiranë ka ndihmuar në bashkimin e familjeve, miqve dhe komuniteteve, duke mbështetur gjithashtu rritjen e lidhjeve ekonomike dhe udhëtimet e biznesit mes dy vendeve.
Nga fundi i marsit 2026, “British Airways” rriti deri në 13 në javë fluturimet e saj mes Tiranës dhe London Hithro, gjatë gjithë sezonit veror, që përfaqëson një rritje prej 75% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2025.
Kompania ka prezantuar gjithashtu një nisje të re herët në mëngjes nga Tirana, e cila filloi më 30 mars. Fluturimet e mëngjesit mbërrijnë në London Heathrow midis orës 09:30 dhe 11:15, duke u ofruar pasagjerëve më shumë mundësi për fluturime të mëtejshme, veçanërisht drejt SHBA-së dhe Kanadasë, me rritje të rezervimeve për destinacione si Nju Jorku, Bostoni dhe Toronto.
Kjo është hera e parë në historinë 20-vjeçare të linjës që lidh Londrën me Tiranën që një fluturim herët në mëngjes bëhet pjesë e itenerarit.
Drejtori i Planifikimit dhe Strategjisë në British Airways, Neil Chernoff u shpreh:
“Jemi krenarë të festojmë 20 vite shërbimi mes Tiranës dhe Londrës. Gjatë dy dekadave të fundit, kjo linjë ka ndihmuar në lidhjen e Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar dhe rrjetin tonë global.
Prezantimi i fluturimeve shtesë dhe një orari të ri herët në mëngjes nënvizon angazhimin tonë të vazhdueshëm ndaj këtij tregu, duke u ofruar klientëve më shumë zgjedhje dhe lidhje të përmirësuara ndërmjet fluturimeve.”, tha ai.
Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, shtoi:
“Për çdo aeroport rajonal në Europë, një linjë direkte me Londrën konsiderohet gjithmonë si një linjë kyçe në planet e zhvillimit, fakti që TIA e ka siguruar këtë përmes partneritetit afatgjatë me British Airways është dëshmi e vizionit të kompanisë ajrore ndaj Shqipërisë. Sot partneriteti është më i fortë se kurrë dhe pasagjerët do të përfitojnë edhe më shumë destinacione të reja falë rrjetit të gjerë të British Airways dhe rolit të saj kyç në Oneworld.”, shprehet ai.
Xhulia Satherlend, Përfaqësuese e Përkohshme e Ambasadës Britanike në Tiranë, tha se ndihet shumë e lumtur që është pjesë e këtij momenti dhe vuri në dukje se gjatë 20 viteve të fundit, British Airways ka ndihmuar në lidhjen e miliona pasagjerëve, duke fuqizuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Britanisë.
‘Jam shumë e emocionuar që jam këtu sot dhe dua të reflektoj mbi numrin e britanikëve dhe udhëtarëve të tjerë që kanë udhëtuar me British Airways që nga fluturimi i parë drejt Tiranës. Gjatë këtyre 20 viteve, ne jemi vërtet të lumtur për zhvillimin e kësaj linje. Është një moment i rëndësishëm që tani kemi një fluturim që mbërrin në mëngjes në Tiranë dhe largohet në orët e hershme drejt Britanisë dhe destinacioneve të tjera”, tha ai.
Si një kompani ajrore globale dhe transportuesi kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar, “British Airways” ka transportuar pasagjerët drejt destinacioneve të tyre për më shumë se një shekull. Kompania lidh Britaninë me botën dhe botën me Britaninë, duke operuar një nga rrjetet më të gjera ndërkombëtare të fluturimeve.


