Lavdërime të mëdha për Lionel Mesin dhe Barcelonën pas fitores spektakolare në ligën spanjolle. Katalanasit u shkëputën edhe më shumë nga ndjekësit duke iu afruar titullit kampion.
Drejt Seviljes u shkua vetëm për fitore.
Lionel Mesi kishte një tjetër rast për të treguar se cili është numri 1 i botës, dhe nuk la pa e shfrytëzuar.
Pavarësisht nga triumfi i madh i Realit dhe i Ronaldos, 7-1 ndaj Deportivos, argjentinasi dhe ekipi i tij, Barcelona, nuk u vendosën aspak nën presion.
Në stadiumin “Vijamarin”, ndaj Betisit vendas, zhvilluan një nga ndeshjet më të mira të sezonit, sidomos në pjesën e dytë.
Ashtu siç ndodhi në San Sebastian ndaj Sociedadit, katalanasit përballuan trysninë vendase në 45 minutat e para, për të shkëlqyer pas pushimit.
Betisi besoi dhe u përpoq shumë, por as kjo dhe as dëmtimi i papritur i mbrojtësit Vermelen, nuk bënë që Barça të dorëzohej.
Kryesuesit e La Ligës shënuan në gjuajtjen e parë në kuadrat, realizuar nga Ivan Rakitiç, dhe u pa sërish sesa cinikë janë nën drejtimin e trajnerit Valverde.
Përsëri ishte një emër që u veçua nga të tjerët, madje ndjeshëm.
Lionel Mesi, autor i dy golave, dhe krijues i një tjetri, dha spektaklin e radhës.
Argjentinasi, në formën më të mirë të mundshme, ishte i pandalshëm dhe vetë publiku vendas e brohoriti, edhe pse ishte në krah të Betisit.
Fitorja bëri që Barça të shkëputet në 11 pikë distancë me Atletikon e vendit të dytë, dhe të mbante diferencën prej 19 pikësh me Realin, që cilësohet ende si rivali i saj kryesor.
Mediat spanjolle nuk lanë lavdërim pa bërë për kryesuesit dhe superyllin e tyre.
“El Mundo Deportivo”: Shumë Mesi! Leo shënon dy gola në një tjetër paraqitje gjeniale. Betis-Barça 0-5!.
“Sport”: Marshim triumfal! Barça është zonjë e La Ligës, ndërsa shkatërron Betisin!.
“Marka”: Mesi dhe Barça vazhdojnë me të vetën! Pushtojnë stadiumin “Vijamarin” dhe shkëputen 11 pikë nga vendi I dytë!
“AS”: Barça lë prapa 11 pikë vendin e dytë. Dygolësh dhe spektakël I Mesit, që u brohorit nga publiku!
Katalanasit presin edhe një tjetër yll, të sapoardhurin Kutinjo, dhe besohet se bashkë me të, do të jenë edhe më të fortë në rrugën drejt titullit kampion në Spanjë./abcnews.al