Shkatërrim dhe xhama të thyer…
Kjo është ajo se çka la pas shpërthimi i fuqishëm i bombolës së gazit në orën e mbrëmjes së të dielës në një biznes në Lezhë.
Në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në brendësi të një byrektoreje shpërtheu bombola e gazit, më një forcë shpërthimi të lartë, që dëmtoi edhe shumë biznese të tjera pranë.
Forcës së shpërthimit nuk i shpëtuan as banesa e automjete të parkuara, ndërsa bilanci i dëmeve për shumë biznese është i pallogaritshëm.
Duke folur për humbje të mëdha, pronarët kërkojnë ndërhyrje për vlerësimin e dëmeve.
Për shumë të tjerë, situata është e papërballueshme, ndërsa bëjnë apel që të ketë më shumë kontrolle e kujdes në përdorimin e bombolave të gazit.
Pas shpërthimit, në vendngjarje mbërritën edhe forcat RENEA e zjarrfikëse për të parandaluar rreziqet e mëtejshme.
Hetimet e para flasin për shpërthim të shkaktuar nga një rrjedhje gazi nga dy bombola 25 litërshe, e cila në kushte vakumi provoi shpërthimin me fuqi të lartë.


