Lufta që po zhvillohet në Lindjen e Mesme po vë nën presion Aviacionin Europian me vende të ndryshme që raportohet se kanë nga tre muaj deri në 8 muaj rezerva karburanti për avionët e tyre.
Sipas asaj që shkruan media Italiane “Corriere Della Sera”, disa qeveri nuk po përjashtojnë më as skenarët e racionimit të karburantit që mund të sjell një reduktim të fluturimeve nga maji ose qershori ku fillimisht do të prekeshin avionët private dhe më pas linjat e rregullta. Në artikullin e saj Corriere Della Sera citon burime të brendshme nga Autoritetet e Aviacionit Civilë në Europë.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, pas shpërthimit të luftës mes SHBA-ve dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, ka reduktuar pothuajse në zero numrin e cisternave që kalojnë ngushticën: nga një mesatare prej 60 cisternash që kalonin në ditë përpara nisjes së luftës.
Një raport i Scope Ratings nga vitit 2025 tregon se Gjiri Persik furnizonte 43% të nevojave për karburant të avionëve në Europë ndërsa vendet që kanë varësinë më të madhe janë Spanja, Italia dhe Greqia që varen nga rrugëtimi i cisternave përmes Kanalit të Suezit dhe Mesdheut Lindor.
Aviacioni britanik, me numrin më të madh të pasagjerëve në lëvizje në kontinent, është aktualisht më i ekspozuar ndaj krizës energjetike. Nëse furnizimet nga Gjiri “nuk mund të zëvendësohen, Mbretëria e Bashkuar mund të mbetet pa rezerva karburanti brenda tre muajve”, pra deri në qershor, llogarit kompania Argus.
Portugalia mund të shterojë brenda katër muajve, Hungaria në pesë, Danimarka në gjashtë. Italia dhe Gjermania kanë rreth shtatë muaj rezerva, ndërsa Franca dhe Irlanda tetë. Deri më tani Aeroportet ndërkombëtare nuk kanë raportuar për probleme, por janë gjithnjë e më të shqetësuara për aksesin në karburant.
/abcnews.al/


