Ekspertët paralajmërojnë se pasojat ekonomike të rritjes së çmimeve të energjisë nuk do të ndihen menjëherë, por pritet të reflektohen në muajt në vijim, duke prekur drejtpërdrejt disa sektorë kyç të ekonomisë.
Në një analizë për emisionin “Sheshi i Dollarit” eksperti i ekonomisë Ergis Sefa thekson se ndikimi i krizës shtrihet përtej tregut të karburanteve, duke përfshirë bujqësinë, eksportet dhe zinxhirë të tjerë të furnizimit.
Sipas tij, efektet reale pritet të bëhen më të dukshme nga vera deri në shtator, në një kohë kur ekonomia globale vijon të përballet me pasiguri të shtuara si pasojë e tensioneve gjeopolitike dhe krizave të pazgjidhura.
“Nuk është vetëm çami i karburantit. Energjia është e lidhur me shumë sektorë. E para është bujqësia, e dyta janë eksportet dhe e treta, pra ka disa sektorë që ndikojnë. Problemin do e shikojmë pas disa muajsh kur këto sektorë të reflektojnë goditjen që morën. Ajo që e bën më të rrezikshme këtë konflikt, është se kjo goditje vjen 3 vite pas luftës në Rusi-Ukrainë, e cila nuk është zgjidhur akoma. Efektet e vërteta do i ndjejmë nga vera ose shtatori.
Ngushtica e Hormuzit është një nyje e rëndësishme për tregtinë. Pa dyshim që kjo është luftë e madhe tregtare, e cila do të ndryshojë gjithë rendin botëror. Jemi me fat që jemi në paraverë dhe në verë se po të ishim në dimër do të ishte më e vështirë, për shkak të shterimit të rezervave strategjike. Afrimi i dimrit do të përkeqësojë efektet. Nëse Europa do të duhet të ritransmetojnë burimet energjitike do të duhen dekada. Do të kemi një rritje të çmimeve të ushqimeve, sepse fatkeqësisht ne jemi shumë të varur nga importet”, tha Sefa.


