Goditja që morën në dy ndeshjet e marsit ishte e rëndë. Tani, futbollistët e kombëtares së Shqipërisë duhet të rinisen me skuadrat e tyre të klubeve në ligat europiane, që kthehen në fushë për vijimin e sezonit pas dritares së ndeshjeve të përfaqësueseve.
Gati edhe të munguarit e mëdhenj të sfidës miqësore kundër Ukrainës, Ernest Muçi dhe Ardian Ismajli.
Sulmuesi dhe mbrojtësi u larguan me probleme fizike përara sfidës së 31 marsit në Valencia, por duket se vendimi për të braktisur grumbullimin ishte vetëm për të ruajtur lojtarët.
Kjo konfirmohet nga rikuperimi i shpejtë i tyre.
Ernest Muçi pritet të luajë me Trabzonspor në sfidën vendimtare të kampionatit turk kundër Gallatasarait, ndërsa Ismajli është gati për Torinon në sfidën e Serie A në transfertën kundër Pisa.
Në fundjavën e kampionatit italian do të luajë një ndeshje për rekord edhe kapiteni Berat Gjimshiti, që me Atalantën do të përballet në një derbi shqiptar me Ylber Ramadanin, mesfushori që nuk u aktivizua ndaj Polonisë dhe për arsye familjare u largua përpara miqësores me Ukrainën.
Duke u kthyer te kampionati turk, në fushë këtë fundjavë do të jenë edhe Qazim Laçi dhe Kristjan Asllani, dy prej lojtarëve më shumë të aktivizuar nga Sylvinho në ndeshjet e marsit.
Edhe futbollistët të tjerë që luajtën me kombëtaren e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit, si Shehu, Mitaj, Uzuni, Hoxha dhe Pilo pritet të zbresin në fushë me skuadrat e klubeve në fundjavë.
Ndërkohë, më shumë pushime do të kenë Broja dhe Mehmeti, pasi futbolli është pushim këtë fundjavë./abcnews.al


