Greqia ka përjetuar një 24 orësh të vështirë si pasojë e motit të keq “Erminio”, i cili goditi disa rajone të vendit me intensitet të lartë, duke lënë pas një viktimë.
Autoritetet greke njoftuan se trupi i një burri u nxor nga poshtë një makine.
Ai dyshohet se është rrëmbyer nga ujërat e përmbytjeve në qytetin Nea Makri, në bregdetin lindor të Atikës.
Viktima është identifikuar si shtetas polak, 53 vjeç.
Më të prekur nga moti i keq janë ishujt e Egjeut, përfshirë Rodosin dhe disa ishuj të tjerë ku u regjistruan erëra të forta, reshje intensive dhe përmbytje.
Në Rodos, erërat arritën deri në 110 km/h, ndërsa dallgët në port tejkaluan 3 metra, duke shkaktuar dëme materiale dhe përmbytje në disa zona.
Situata detyroi autoritetet të kufizojnë lëvizjet e qytetarëve, ndërsa në aeroportin “Diagoras” u anuluan dhjetëra fluturime dhe disa avionë u devijuan drejt destinacioneve të tjera.
Po ashtu, u pezullua qarkullimi detar për shkak të kushteve të rrezikshme.
Me vendim të autoriteteve rajonale, të gjitha shkollat u mbyllën për arsye sigurie.
Probleme të shumta u raportuan edhe në Poros, ku përmbytjet rrëmbyen automjete dhe dëmtuan infrastrukturën, ndërsa në ishuj të tjerë si Sikinos, Hidra dhe Kimolos u përmbytën rrugë dhe zona bregdetare.
Sipas raportimeve, moti i keq shkaktoi edhe fundosjen e një anijeje në portin e Kosit.
Këtë të enjte, emergjencat civile e vendosën vendin në alarm portokalli me një parashikim për përmirësim të motit ditët në vijim.


