Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka filluar punën normalisht, por lëvizje për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, nuk ka.
Sipas kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, Albin Kurti po pret që ushtruese e detyrës së presidentes të bëhet kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që më pas ta përdori këtë institucion sipas interesave të tij.
“Duket që në VV e kanë një plan në kohë, fillimisht për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, pra nuk po nguten para datës 5 pastaj do ta shohim se si do ta menaxhojnë. Por, ne varemi nga iniciativa e tyre, është e pamundur që opozita me marr iniciativë në një temë si kjo.”
Për gjashtë votat e partisë së tij në Kuvend, Haradinaj deklaroi se nuk janë ende të përcaktuara se ku do të shkojnë.
Deklaratat Haradinaj i bëri përpara fillimit të seancës plenare, nga ku një nga partia tjetër opozitare, PDK vendosi të largohej pas mospajtimeve për rezolutën që mbron dinjitetin e viktimave të luftës.
Vetëvendosja ka kërkuar që teksti të harmonizohet edhe me propozimet e tyre, ndërkohë sipas opozitës teksti është dorëzuar një ditë më parë dhe partia në pushtet ka patur kohë ta shqyrtoi.
Propozimi për këtë rezolutë vjen pas ekspozitës e cila pasqyroi fakte të pasakta për masakrat në Kosovë.


