Një tjetër çështje në të cilën u fokusua, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ishte edhe pastrimi i brendshëm siç e quan ai i Policisë së Shtetit. Ai theksoi se kjo mbetet një sfidë, por që nuk do të ketë hapa pas.
Po ashtu vlerësoi edhe punën e AMP duke theksuar se jo vetëm mbledh informacion, por edhe i referon në organin e akuzës.
“Pastrimi i brendshëm i policisë së shtetit është një sfidë që duhet të kryhet çdo ditë. Si vetë nga policia e shtetit, po ashtu edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes policore që ngrihet mbi këtë qëllim. Unë kërkoj që ky verifikim i integriteti të vijojë dita ditës për të gjitha drejtimet pa përjashtim. Sipas AMP, janë 336 referime penale për shkelje dhe që janë në mbikëqyrje. Pra kemi një agjenci që jo vetëm mbledh informacion, por edhe i referon në organin e akuzës. Janë 95 punonjës policie në nivel të parë drejtues, këto janë fakte në prokurori. Kemi 100 hetime aktive për vitin 2025, dhe fokusi ka qenë në nivele drejtuese. Po ashtu ka pasur mbi 1 mijë ankesa që kanë ardhur nga qytetarët dhe falë tyre është bërë e mundur regjistrimi i çështjes dhe referimi në Prokurori. Kemi mbi 100 punonjës që janë në hetim…”, tha ai.


