Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Njësinë 7 në Tiranë, u ndal te procesi i reformimit të institucioneve dhe lufta kundër korrupsionit në vend. Ai theksoi rolin e SPAK si një hallkë e rëndësishme e drejtësisë së re, duke e cilësuar atë si një institucion të pavarur që po funksionon paralelisht me përpjekjet e qeverisë për të forcuar administratën publike.
Rama deklaroi se reformat e ndërmarra kanë sjellë ndryshime të dukshme, përfshirë centralizimin e procedurave të tenderimit dhe largimin e ndikimit politik nga emërimet në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia dhe rendi. Sipas tij, hetimet ndaj zyrtarëve të lartë janë dëshmi e një drejtësie që, për herë të parë, po vepron në mënyrë të pavarur në Shqipëri.
Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi se sfidat mbeten dhe se fenomenet korruptive, të trashëguara ndër vite, vijojnë të dalin në pah sa më shumë intensifikohet lufta ndaj tyre. Ai nënvizoi nevojën për vendosmëri dhe qartësi në vijimin e reformave, duke shtuar se rezultatet do të vlerësohen me kalimin e kohës.
“Nga njëra anë është SPAK është gjykatë, nga ana tjetër është përpjekja jonë për të riformesuar institucionet, për t’i bërë të paprekshme nga korrupsioni. Tashmë prej kohësh ministritë nuk bëjnë më tendera dhe bëhen nga një institucion përkatës që merret vetëm me atë punë. Sa më shumë luftohet aq më shumë dalin në pah, sepse janë të trashëguara nga vite më parë. Por, është e pabesueshme që diskutohet fakti, që sot ka një drejtësi të pavarur falë kësaj partie dhe reformës që ne kemi bërë.
Nuk ka pasur Shqipëria ndonjëherë përpara kësaj periudhe, hetime të zyrtarëve të lartë, akuza e të tjera. Ne duhet te jemi shume te vendosur dhe duhet të jemi shumë të qartë sepse koha do e tregojë. Askush nuk dua që ta krijojë idenë, që këtu gjithçka po shkon mirë dhe unë jam shumë i lumtur, siç thoshte dhe Pandeli Majko të jesh socialist do të thotë që të jesh si pakënaqur, edhe unë jam i pakënaqur.
Kur morëm ne pushtetin, mësuesit, mjekët dhe policët, caktoheshin nga politika, ishin bërë si lecka. Ne i hoqëm, institucionet do bëjnë punën, PS do të bëjë punën. Kemi një mision shumë të madh, kemi një mision shumë historik, e ka sjellë bota, e kanë sjellë yjet, nuk jemi qenë kurrë kaq afër që t’ua vendosim vendit tonë dhe fëmijëve tani, përpara, fati është me ne. Njësia është rritur, nuk është më ajo që ka qenë, ne duhet të rritem, aq më mirë ku ka gra socialiste”, tha kryesocialisti.


