Pas Ramës, Berisha gjen në parti tradhëtarë me Tom Doshin. Kjo ka qenë arsyeja e vendimit të Kryesisë së PD në Elbasan për përjashtimin e kryetares së grupit të këshilltarëve bashkiakë, Doris Madhi.
Sipas degës demokrate, Madhi ka lënë fushatën e demokratëve për të punuar për kandidatin e PSD në Elbasan në zgjedhjet e 11 majit.
“Doris Madhi është angazhuar maksimalisht në krah të subjektit politik Partia Socialdemokrate (PSD), duke bërë thirrje publike në rrjetet sociale që demokratët të votonin kandidatin e PSD për qarkun e Elbasanit. Gjatë procesit të numërimit të votave në Prrenjas, znj. Madhi ka qenë e angazhuar si vëzhguese e PSD”
Por Doris Madhi ka mohuar kategorikisht akuzën e Kryesisë së PD, duke dhënë provat, se jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në terren është angazhuar vetëm me demokratë.
Megjithatë, Madhi ka akuzuar deputetët aktualë të listës së mbyllur të PD në Elbasan, si bashkëpunëtorët e vërtetë me armikun e Berishës, Suel Çelën.
“Ndërkohë që armiku jam unë. Ky miku i të gjithëve voton tregun. Na sqaroni pak kush i induktoi votat PD-Sara Mile dhe pastaj pranoi të mbyllej për 3 orë Pallati i Sportit bashkë me numëruesit brenda?”
Kurse Alesia Balliu është në të njëjtën linjë si Ervin Salianji. Ajo beson se vendimi për përjashtimin e saj, është kryer për të mos i lejuar kandidimin përballë Berishës më 23 maj.
“Ka qenë vendim personal i Sali Berishës, Flamur Nokës dhe Blendi Himçit, që e ka propozuar. E gjitha është bërë vetëm që unë të mos garoj për kryetare të Partisë Demokratike. I ka kapur frika nga gara.”
Kjo është vetëm vala e parë e fshesës në PD. Berisha erdhi me premtimin se do të pastronte shtëpinë, më pas shpalli tradhëtarët, ata që punuan për kundërshtarët në zgjedhjet e 11 majit, apo nuk u angazhuan fare.
Por fshesa ka nisur si gjithmonë nga rebelët, nga kritikët dhe nga ata që mund të sjellin sado pak zhurmë, në oborrin referendar blu te Sali Berishës para rikurorëzimit si kryetar i PD më 23 maj.


