Gjirokastra është një nga zonat që ofron një sërë atraksionesh të ndryshme turistike gjatë gjithë vijës gjeografike në të cilën ky qytet shtrihet.
Një prej tyre është edhe pllaja e malit Çajup, që ndodhet mbi 1200 metra mbi nivelin e detit.
Jo vetëm ajri I pastër, panorama piktoreske, por edhe ndërtimet unikale në tipologjinë e tyre, e bëjnë të veçantë këtë zonë.
Një nga këto asete është edhe karakolli, ose ndryshe vendroja që është ndërtuar që prej shekullit të XVII-XVIII dhe gëzon statusin monument kulture.
Ky objekt është I vetmi që I ka shpëtuar rrënimit në rajonin e Gjirokastrës, ndërsa cilësohet si më I veçanti edhe në rang vendi, kjo për vetë mënyrën dhe arkitekturën që është ndërtuar ky karakoll, emërtim që vjen nga turqishtja e vjetër. I ngritur në një pozicion kyç, prej tij monitorohej dhe mbroheshin të gjitha karvanët nga shumë qytete të ndryshme në jug të vendit që asokohe udhëtonin drejt Janinës dhe anasjelltas, për aktivitetet tregtare e jo pak herë kanë rënë pre e grabitësve.
Ardis Duka, drejtor I monumenteve dhe trashëgimisë kulturore në Gjirokastër tha se po punohet për restaurimin e këtij objekti që do jetë një vlerë e shtuar për turizmin, sektor i cili po shënon rritje të ndjeshme edhe në këtë zonë rurale malore.
Por, kush kryente shërbimin pranë këtij objekti?
Fusha ose pllaja e Çajupit ndodhet ndërmjet qytetit të Gjirokastrës, Përmetit dhe Bashkisë së Libohovës, ndërsa që prej aty dallohet edhe mali I Tomorrit në Berat. Pikërisht për këtë pozicion strategjik në të cilën shtrihet kjo pllajë, ngritja e vendrojeve ka qënë e domosdoshme, ndërsa sot kjo zonë konsiderohet një perlë alpine e jugut të Shqipërisë./abcnews.al


