Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kanina, historia e gdhendur në gur/ Kalaja e ngritur mbi kodër në gjirin e Vlorës, dëshmon shekuj histori

schedule20:11 - 28 Mars, 2026

schedule 20:11 - 28 Mars, 2026

E ngritur mbi një kodër që mbikëqyr të gjithë gjirin e Vlorës, Kalaja e Kaninës nuk është thjesht një monument historie, por një dëshmi e gjallë e kohërave që kanë kaluar mbi këtë truall.

Me një histori që nis që në periudhën ilire, kjo kala ka qenë ndër shekuj një pikë kyçe strategjike, duke u rindërtuar dhe transformuar nga perandori të ndryshme, nga bizantinët tek osmanët, për të mbërritur sot si një nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Sot, pas dekadash mungese ndërhyrjesh, Kalaja e Kaninës po i nënshtrohet një procesi të plotë restaurimi, i cili synon jo vetëm ruajtjen e saj, por edhe kthimin në një destinacion të rëndësishëm turistik.



Prej muajit maj të vitit të kaluar, në këtë hapësirë historike kanë nisur ndërhyrje restauruese në të gjithë perimetrin e saj. Punimet kanë përfshirë rikonstruksionin e murit rrethues, ndërhyrje në zonat problematike nga ana gjeologjike, si dhe krijimin e infrastrukturave të reja për vizitorët, si info-point-et orientuese.

Arkeologu dhe menaxheri i projektit, Syrja Lela, shprehet se punimet janë drejt përfundimit dhe pritet që brenda pak muajsh kalaja të jetë plotësisht e aksesueshme për publikun.

Ndërhyrjet nuk kanë qenë vetëm restauruese. Gjatë punimeve janë zbuluar edhe gjurmë të reja me vlera të rëndësishme arkeologjike, përfshirë një ndërtesë që i përket periudhës osmane.

Këto zbulime hedhin më shumë dritë mbi shtresëzimin historik të kalasë, e cila mbart gjurmë nga periudha ilire, antikiteti i vonë, periudha bizantine, ajo osmane, deri në Luftën e Parë Botërore, kur në këtë zonë ka qenë i vendosur një garnizon italian.

E shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 3.5 hektarësh dhe e rrethuar nga një mur gati një kilometër i gjatë, Kalaja e Kaninës ka qenë dikur një qytet i mirëfilltë brenda mureve të saj. Ajo përfshinte banesa, depo, objekte ushtarake dhe struktura për furnizimin me ujë, duke krijuar një sistem të organizuar jetese.

Ndër shekuj, kalaja është ndarë në disa zona të fortifikuara, të mbrojtura nga kulla me forma të ndryshme, që dëshmojnë për faza të ndryshme ndërtimi dhe zhvillimi.

Nga kullat trekëndëshe të periudhës së hershme, tek ato poligonale të mëvonshme me frëngji për topa, çdo element arkitektonik tregon historinë e gjatë dhe të ndërlikuar të këtij fortifikimi.

Investimi prej rreth 1.9 milionë eurosh, që përfshin edhe monumente të tjera në jug të vendit, synon ta rikthejë këtë hapësirë në një pikë referimi për turizmin kulturor.

Me përfundimin e punimeve, që pritet në muajin qershor, Kalaja e Kaninës do të jetë gati të presë vizitorë të shumtë, duke ofruar jo vetëm një panoramë mbresëlënëse, por edhe një udhëtim të plotë në histori.

Sepse më shumë se një kala, Kanina është një rrëfim i gdhendur në gur, që vazhdon të jetojë dhe të flasë edhe sot./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!