Eksperti i ekonomisë Genti Beqiri ka ngritur shqetësime mbi zhvillimet e fundit ekonomike në vend, gjatë një interviste në Money Report në ABC News. Ai theksoi se situata aktuale nuk është e krahasueshme me një vit më parë, kryesisht për shkak të ndikimeve që ka sjellë lufta në Iran në ekonominë globale dhe vendase.
Sipas Beqirit, rritja e çmimeve të naftës, gazit dhe produkteve të konsumit, për shkak të varësisë së lartë nga importet, ka përkeqësuar klimën ekonomike. Ai nënvizoi se diversifikimi ekonomik nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për të përballuar krizat dhe për të siguruar qëndrueshmëri.
Ndërkohë, edhe pse turizmi shihet si një indikator pozitiv dhe një mundësi për vendin, rritja e vazhdueshme e çmimeve rrezikon ta kthejë këtë potencial në një mundësi të humbur.
“Kuptohet që me vitin e kaluar situata nuk është e ngjashme, edhe për shkak të luftës në Iran. Situata është e vështirë. Përtej krizave aktuale diversifikimi është baza e qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomia. Nafta, gaza edhe pse në nisje kanë filluar që të japin efektet e tyre, pasi ne jemi importues të naftës dhe të gazit. Jemi vend importues edhe të shumë produkteve të konsumit. Diversifikimi që mund ta zbusë efektin, nuk janë më një alternativë, por një domosdoshmëri.
Problematika e konkurrueshmërisë dhe kontrollit mbi tregun nuk është e plotë. Ne jemi importues të fortë të produkteve ushqimore, do të thotë një rritje të çmimeve. Vetë këto situata nuk janë në një sektor pozitiv. Turizmi është një indikator pozitiv. Vendi ynë do të jetë një alternative, por nëse ne arrijmë që ta shfrytëzojmë në një mënyrë shumë të zgjuar. Nëse ne vazhdojmë me rritjen e çmimeve do të jetë një mundësi e humbur. Tendenca e ekonomisë do të jetë në ulje, nuk mund të kemi rritje të ekonomisë në një kohë lufte. Është një situatë që kërkon zgjidhje urgjente dhe lehtësim të barrës fiskale, në mënyrë që ne të mos stimulojmë informalitetin në të tilla raste. Kërkojnë borde të mirëfillta”, tha eksperti.


