Kosova mbylli përgatitjet në Prishtinë, përpara transfertës në Bratislavë, ku të enjten në mbrëmje do të luajë kundër Sllovakisë në play off e “Botërorit 2026”.
Një sfidë e vështirë, por “Dardanët” besojnë se do ta kalojnë për të luajtur më pas “biletën” për në Kupën e Botës në “finalen” e 31 marsit në Prishtinë ndaj fituesit të çiftit tjetër mes Turqisë dhe Rumanisë.
Më shumë se të gjithë besojnë tifozët. Konfirmimi për këtë vjen nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila njofton se janë shitur të gjitha biletat për sfidën e 31 marsit në “Fadil Vokrri”.
Për të luajtur finalen e play off, skuadra e drejtuar nga Franco Foda duhet të kalojë si fillim Sllovakinë. Në të kundërt, sfida e radhës do të jetë një miqësore kundër ekipit humbës të çifitit tjetër.
Por dashuria e tifozëve të Kosovës është pa kushte për “Dardanët” që ashtu si Shqipëria ëndërrojnë të luajnë për herë të parë në histori në finalet e një Kupe Bote.
Pengesa e parë është Sllovakia, ndërsa për këtë sfidë, trajneri Foda I ka në dispozicion të gjithë futbollistët e ftuar prej tij.
Gjithsesi, të gjitha shpresat janë te sulmi.
Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani po kalojnë një sezon fantastik me skuadrat e tyre të klubeve, ndërsa të gjithë shpresojnë që ta transferojnë atë edhe te kombëtarja për të ndihmuar Kosovën në misionin historik për një vend në finalet e Botërorit.


