Një rrëfim që sfidon historinë dhe ringjall krenarinë e një krahine të tërë. Nikollë Vilajeti, 87 vjeç, me rrënjë nga Malësia e Kelmendit, ka sjellë në dritë një libër kushtuar historisë së vendlindjes, zonë që sipas tij, nuk u pushtua kurrë. Libri mban titullin “Kelmendi përballë Europës”, një përmbledhje dekadash kërkimi, leximi dhe pasioni për prejardhjen.
“Librin ia kushtova Kelmendit për shkak të respektit që kam për vendlindjen time. Gjithë jetën jam përpjekur të flas për rrënjët e mia.”
Sipas autorit, Kelmendi nuk njihet vetëm për bukuritë natyrore apo për relievin e ashpër malor, por për një histori që, në rrëfimin e tij, qëndron përballë perandorive.
“Shqipëria është pushtuar disa herë, po Kelmendi jo. Edhe kur ka ardhur Turqia që pushtoi Ballkanin, vetëm Kelmendin jo.”
Në rrëfimin e tij, Vilajeti përmend përpjekjet e Romës, të sllavëve e më pas të Perandorisë Osmane për të depërtuar në këtë zone, por sipas tij, trimëria dhe bashkimi i banorëve i zmbrapsën.
“Janë mbledhur burra e gra që kanë luftuar kundër turkut. Atje lufton Kelmendi, po lufton edhe vendi.”
Një nga figurat që ai veçon është Nora e Kelmendit, simbol i qëndresës femërore në histori.
“Nora e Kelmendit arriti të vriste pashën turk. Tentuan ta vrisnin me mijëra forca, por falë saj Kelmendi u shpëtua.”
Libri nuk është fryt i një pune të shpejtë. Ai nisi të shkruhej në vitet ’70, në një kohë kur çdo botim kontrollohej rreptësisht nga sistemi.
“E kam nisur nga 1972. E çova në Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë në Tiranë. Më thanë hiqi këta emra. Po unë nuk i hoqa. Ato emra e kishin bërë luftën.”
Për 30 vite, dorëshkrimi mbeti i fshehur. Vetëm pas rënies së sistemit, libri pa dritën e botimit.
“E mbajta librin 30 vite pa e ekspozuar. Kur u hoq lufta e klasave, e botova. E kam ribotuar edhe një herë. Tani më ka mbetur vetëm një kopje.”
Edhe pse agronom me profesion, Vilajeti thotë se dëshira për të njohur prejardhjen e tij e çoi drejt kërkimit historik.
“Unë nuk jam historian, jam agronom. Por nga dëshira për të mësuar prejardhjen time kam lexuar shumë.”
Libri i tij ka gjetur jehonë edhe jashtë vendit. Në New York, ku jeton i biri, vepra është vlerësuar dhe promovuar në shtypin shqiptar të diasporës.
Në 87-vjetorin e jetës, Nikollë Vilajeti nuk flet vetëm për një libër, por për identitet, për rrënjë dhe për një histori që, sipas tij, meriton të njihet./abcnews.al


