Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa tha se Korridori VIII është një projekt me rëndësi të madhe gjeopolitike dhe ekonomike, ku interesat e Italisë përputhen me ato të Shqipërisë për forcimin e lidhjeve me rajonin.
Ai nënvizoi se konkurrenca me Korridorin 10 dhe lobimi i fortë brenda BE-së kërkojnë një qasje më agresive dhe strategjike nga institucionet shqiptare për ta kthyer këtë projekt në prioritet.
“Italisë i intereson për interesa gjeopolitike; është tregu më i afërt me Ballkanin, një nga 10 fuqitë më të mëdha ekonomike në botë. Italia, për interesat e saj, e shtyn këtë projekt.
Kemi një rivalitet: nga porti i Selanikut deri në Budapest ka një rrugë tjetër. Greqia është e interesuar që portin e Selanikut ta ketë të vetmin që funksionon në Ballkan, ndërkohë që Italisë i intereson Korridori VIII, ashtu sikurse vendit tonë. Italia po kërkon të riafirmojë vendin e saj si lider në këtë rajon.
Korridori i 10, Selaniku që shkon deri në Budapest, ka pasur dy investime: hekurudha Shkup–Selanik që pritet deri në 2028 të mbarojë, si dhe hekurudha e shpejtësisë së madhe; të dyja shkojnë në 4.2 miliardë dollarë investime.
Ne kemi dhe Greqinë dhe Hungarinë, të dyja vende të BE-së, që kanë angazhuar miliarda euro për garancitë e tyre në Korridorin 10, ndërkohë që Korridori VIII do t’i marrë “punë” portit të Selanikut. Lobimi brenda BE-së është real dhe i egër. Ne duhet të jemi më agresivë dhe më strategjikë.”


