Kaq lart kanë gati gjysmë shekulli që nuk janë ngjitur. Sportingu i Lisbonës u kualifikua për në çerekfinalet e Championsit, madje me një mrekulli të vërtetë, duke përmbysur humbjen e rëndë 0-3 të pësuar në fushën e Bodo Glimtit.
Skuadra norvegjeze erdhi në Portugali me një avantazh të madh, por yjet vendas ishin të frymëzuar, madje jashtëzakonisht shumë. Edhe pse nuk u shënua tepër shpejt, rrjeta e parë erdhi në 34’, valanga nuk mbaroi deri në triumf.
Së pari shënoi Gonsalo Injasio, pastaj Pedro Gonsalves në 61’, Luis Suarez me penallti në 78’. Pas shifrave 3-0, u luajtën dy kohët shtesë nga 15 minuta secila dhe Sportingu nuk lejoi që të shkohej deri tek penalltitë.
Epërsia e thellë solli dy rrjeta të tjera nga Maksimiliano Arauho në 92’ dhe Rafael Nel në minutën e parë shtesë, pra në të 121-ën. Të mbiquajturit “Luanët” ishin vërtet lart, me 59 për qind mbajtje topi, 36 gjuajtje gjithsej, dhe 14 prej të cilave në kuadrat.
Një recital futbolli. “Nata e përsosur, – shkruan e përditshmja sportive portugeze “A Bola”, – loja imponuese e “luanëve” që nga minuta e parë siguron përmbysjen historike dhe vendin në çerekfinale!”
“Brutale, – është titulli I gazetës tjetër, “O Zhogo”, – spektakël imponues na jep përmbysjen dhe çerekfinalen, në një natë epike në “Alvalado”!”
Çerekfinalet e Championsit ishin arritur nga Sportingu për herë të fundit në 1983, nga brezi I shquar me Zhordaon, Andraden, Zhuniorin, kapitenin Fernandez e të tjerë.
Tashmë, shpresohet të bëhet edhe një hap më shumë.


