Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të humbasë fokusin nga lufta në Ukrainë, edhe pse përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht përfshirja e Iranit, po tërheq vëmendjen globale.
Deklaratat u bënë gjatë takimit të tij në Downing Street me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Starmer theksoi se presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të përfitojë nga situata e krijuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, duke përmendur veçanërisht rritjen e çmimeve të naftës dhe mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë.
Ai paralajmëroi se çdo shpërqendrim i aleatëve mund të dobësojë mbështetjen për Ukrainën në një moment kritik të luftës.
Gjatë vizitës, Britania dhe Ukraina ranë dakord për një partneritet të ri në fushën e mbrojtjes, i cili synon zhvillimin dhe prodhimin e dronëve të lirë sulmues dhe teknologjive të tjera ushtarake. Ky bashkëpunim do të kombinojë ekspertizën ukrainase në fushën e luftës moderne me kapacitetet industriale të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa synohet edhe përfshirja e vendeve të treat, për të forcuar sigurinë ndërkombëtare.
Përveç kësaj, Londra do të financojë me 500 mijë paund ngritjen e një qendre të ekselencës për inteligjencën artificiale në Kiev, duke e konsideruar teknologjinë si një element kyç në luftërat moderne. Starmer theksoi se dronët, lufta elektronike dhe inovacioni i shpejtë në fushëbetejë janë bërë thelbësore për sigurinë kombëtare dhe ekonomike.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme gjatë dimrit të vështirë dhe nënvizoi rëndësinë e rritjes së presionit ndaj Rusisë për të arritur paqen. Ai shtoi se Ukraina po punon ngushtë me aleatët për të forcuar mbrojtjen, sidomos kundër sulmeve me dronë.
Vizita e Zelenskyt në Londër përfshiu edhe një takim me Charles III në Pallatin Buckingham, ku u diskutua situata aktuale dhe mbështetja ndërkombëtare për Ukrainën.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur lufta mes SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin ka hyrë në javën e tretë, duke rritur çmimet globale të energjisë dhe duke krijuar tensione të reja në skenën ndërkombëtare. Sipas analistëve, kjo situatë rrezikon të shpërqendrojë aleatët perëndimorë dhe të ndikojë në unitetin e tyre përballë agresionit rus.
Ndërkohë, Volodymyr Zelensky po zhvillon një tur në kryeqytetet evropiane për të siguruar mbështetje të vazhdueshme, duke theksuar se Ukraina ka fituar përvojë në luftën kundër dronëve dhe është e gatshme ta ndajë atë me partnerët ndërkombëtarë.


