Në një intervistë në “Money Report” në ABC News, eksperti për Turizmin, Aneo Hila analizoi sezonin turistik, duke u shprehur se këtë vit, pritet një sezon të mirë veror.
Gjithashtu ai nënvizoi se ka një rritje të qëndrueshme të turistëve të huaj.
“Për muajin janar ka një rritje që ne e quajmë rritje të shëndetshme. Mendoj që 2026 ka një rritje të mirë dhe nëse vazhdon me këto ritme do të jetë shumë e mirë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me guidat, dhe në këto momente nuk ka shumë të disponueshme edhe për shkak se ka vazhdimisht rezervime dhe për këtë them se do të jetë një sezon i mirë. Po ashtu ka një rritje të turistëve që vijnë në mënyrë të pavarur, me makina me qira, por edhe duke përdorur transportin publik. Ndërsa tregjet e Europës janë ato më kryesorët, dhe kanë potencialin më të lartë, por është edhe një vizitor që ka edhe potencial ekonomik”, tha ai.
Gjithashtu gjatë intervistës theksoi se synim kryesor mbetet riorientimi i kërkesave të turistëve. Më tej shtoi se sfidë edhe për këtë viti mbetet menaxhimi i mbetjeve, duke thënë se duhet një ndërhyrje për këtë situatë.
“Në këto kushte duhet të veprojmë sepse krijon një problem të madh sa i përket cilësisë që duhet t’u ofrohet të huajve. Por nga ana tjetër kemi një konglomerat rrënojash gjithandej që duket sikur ka rënë bomba. Flitet për planin rregullues, por duhet të zbatohet. Pra nuk duhet të mbetemi vetëm te konstatimi, por duhet bërë urgjent. Problemi tjetër mbetet infrastruktura”, tha më tej ai.
/abcnews.al/


