Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i mbylljes së kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian është i planifikuar sipas një kalendari të përcaktuar dhe nuk ka pasur parashikim që kjo të ndodhte në muajt e parë të vitit.
Në një konferencë me gazetarët, ai theksoi se gjatë vitit 2026 pritet të mbyllet një numër grupkapitujsh, ndërsa qeveria shqiptare është në komunikim të përditshëm me Brukselin për ecurinë e procesit.
Rama hodhi poshtë pretendimet se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është bllokuar, duke i cilësuar këto deklarata si të pabazuara. Ai kritikoi gjithashtu opozitën, duke akuzuar Partia Demokratike e Shqipërisë se po përhap narrativa që nuk kanë lidhje me realitetin e negociatave.
Sipas tij, një nga sfidat e procesit mund të jetë edhe qëndrimi i disa vendeve anëtare të BE-së, të cilat mund të mos kenë kapacitet politik për të mbështetur zgjerimin në momentin final. Megjithatë, Rama theksoi se Shqipëria po vazhdon punën për të përmbushur të gjitha detyrimet në rrugën drejt anëtarësimit.
“Mbyllja e kapitujve është një plan i kalendarizuar. Nuk ka pasur asnjë plan që të mbyllen kapitujt as në janar, shkurt apo mars. Në vitin 2026 parashikohet një numër grupkapitujsht që duhet mbyllur. Në këtë proces ne punojmë çdo ditë dhe çdo ditë shkëmbejmë me Brukselin. Çështja që ne kemi folur më parë është një çështje ka pasur vëmendje dhe debat me disa, por nga kjo të thuash që është bllokuar rruga e Shqipërisë është çmenduri.
Është për të ardhur keq, për shoqatën e molotvarëve, që ju i quani PD, ata janë në një botë tjetër, nuk ka lidhje fare me anëtarësimin në BE dhe me çështjet ndërkombëtare. Unë kam qenë zëri i parë, që është ngritur për një qasje ndryshe nga anëtarësimi në BE. Unë kam thënë që BE dhe disa vende të saj nuk e kanë kapacitetin që të përballojnë momentin e fundit, për të dalë para popullit të tyre që të thonë se do marrim dhe një tjetër në familjen tonë, nëse nuk e kanë në mënyrë të argumentuar. Ajo që mund të ndodhë që të gjitha gjërat bëhen gati dhe ndodh në moment të fundit që disa shtete nuk e kanë kapacitetin që ta thonë në moment të fundit, dhe procesi mund të mbetet peng i kësaj gjëje. Sa i tako të dëgjesës së molotovarëve që flasin në emër të Berlinit, dhe le të flasin në Berlin për këtë gjë”, tha Rama.


