Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Arben Llapashtica, fotografi që dokumenton historinë e bukuritë e Kosovës

schedule10:23 - 11 Mars, 2026

schedule 10:23 - 11 Mars, 2026

Fotografi Arben Llapashtica është një nga emrat më të njohur të fotografisë, videos dhe dokumentarëve në Kosovë, një njeri që përmes lentes së aparatit ka dokumentuar disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit. Rrugëtimi i tij profesional nisi herët, kur në vitin 1994 u zhvendos në Prishtinë, pasi shqiptarët në Novobërdë nuk kishin shkollë të mesme në gjuhën shqipe. Më pas ai përfundoi studimet për Gazetari dhe Komunikim, por shumë shpejt kuptoi se kamera do të bëhej zëri i tij më i fuqishëm.

Karriera e tij në televizion nisi në vitin 2001, kur filloi punë si kameraman në televizionin nacional Koha Vision (KTV). Me kalimin e viteve ai do të drejtonte edhe ekipin e kameramanëve dhe më pas do të shërbente si drejtor fotografie deri në vitin 2024. Përmes fotos dhe videos, Llapashtica ka ndjekur nga afër periudhën e trazirave pas luftës në Kosovë, proceset e negociatave politike dhe diplomatike, madje edhe vendimet në Hagë dhe lobimin ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në arkivin e tij ruhen imazhe të çmuara që dokumentojnë këtë rrugëtim historik.

Gjatë karrierës së tij ai ka fituar mbi 20 çmime për fotografi dhe video, ndërsa punimet e tij janë ekspozuar brenda dhe jashtë vendit. Një nga projektet më të dashura për të është bashkëpunimi me Filharmoninë e Kosovës, ku prej vitit 2010 ka fotografuar pothuajse çdo koncert, duke kapur momentet më të bukura të instrumentistëve, solistëve dhe dirigjentëve. Nga këto imazhe lindi edhe ekspozita “Simfonia e Ndritur”.



Një tjetër projekt që ka tërhequr vëmendje është ai për promovimin e gjidhënies në bashkëpunim me UNICEF. Përmes fotografive të nënave që ushqejnë fëmijët me gji, shpesh edhe në publik, ai synoi të thyejë një tabu të vjetër dhe të rikthejë një praktikë natyrale në sytë e shoqërisë. Pasioni i tij shtrihet edhe tek trashëgimia kulturore dhe arkeologjike e Kosovës. Llapashtica ka dokumentuar objekte të rëndësishme të trashëgimisë, si dhe zanatlinj e zanate që po zhduken, me synimin që këto vlera të promovohen dhe të kthehen në një atraksion për turistët.

Në koleksionin e tij gjenden edhe fotografi të vjetra të Prishtinës, të cilat ai i ka krahasuar me imazhet e sotme duke i fotografuar nga e njëjta perspektivë. Rezultati është një histori vizuale e transformimit të qytetit, që në disa raste tregon se Prishtina e dikurshme duket më e bukur se ajo e sotme. Ndër projektet më të veçanta është edhe “Dostat e Janjevës”, ku ai ka fotografuar të rinj shqiptarë dhe kroatë nga komuniteti lokal dhe, pas dhjetë vitesh, i ka takuar sërish për t’i fotografuar nga e njëjta perspektivë, duke treguar ndryshimin e tyre në kohë.

Ndërkohë, një nga seritë fotografike që u bë virale ishte dokumentimi i grimit tradicional të nuses së Lubinjës në rajonin e Prizrenit – një ritual i vjetër pagan, i punuar me dorë dhe shpirt nga mjeshtrja Aziza Sefitagic, që ruan ende simbolikën dhe bukurinë e një tradite të rrallë shqiptare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!