Atletiko Madrid ka siguruar përpara kohe biletën për në çerekfinalet e Champions League.
Duhet të luhet edhe sfida e kthimit në fazën e 1/8 të turneut, por fitorja 5-2 kundër Tottenham e bën të qetë skuadrën e Cholo Simeone.
Gjithçka e lehtë për spanjollët, që e vranë garën që në pjesën e parë.
Tottenham kaloi një mbrëmje të keqe, sidomos portieri Kinsky, që në 15 minutat e para pësoi tre gola, dy prej të cilëve si pasojë e gafave të tij.
Marcos Jorente, Grizman dhe Julian Alvarez gjetën rrugën e rrjetës, ndërsa dënuan portierin çek me zëvendësimin turpërues në minutën e 17-të.
Por edhe ndryshimi në portë nuk solli asgjë të mirë për londinezët, që pësuan edhe golin e katërt nga LeNormand në minutën e 22-të.
Pedro Porro dha shenja jete për Tottenham, duke zbutur diferencën në pjesën e parë.
Pas pushimit, Julian Alvarez plotësoi “manitën” e Atletico, që me fitoren në “xhep” e uli ritmin.
Kjo i lejoi Tottenham të shënonte edhe golin e dytë me Solanke, që gjithsesi nuk e lëkund besimin e madrilenëve.
Rezultati 5-2 është një siguri për Simeone dhe të besuarit e tij përpara ndeshjes së kthimit që do të luajnë të mërkurën e ardhshme në transfertën e Londrës.


