Në studion e ABC së Mëngjesit, psikiatrja dhe doktorja e shkencave Dr. Valentina Asabella ngriti një alarm të fortë për një temë që shpesh mbetet në heshtje: shëndetin mendor të burrave. Në një shoqëri ku prej dekadash është përsëritur fraza “mos qaj se je burrë”, shumë meshkuj janë rritur me bindjen se dobësia emocionale nuk lejohet.
Sipas saj, breza të tërë janë edukuar me idenë se burri duhet të jetë i pathyeshëm, i fortë dhe të mos shfaqë kurrë dhimbje. Fjala “burrë” ka pasur gjithmonë një peshë të madhe në shoqërinë shqiptare, por kjo peshë shpesh është kthyer në një barrë të rëndë psikologjike.
Shumë burra përballen çdo ditë me trauma, stres dhe presione sociale pa kërkuar ndihmë profesionale. Ata ndihen të detyruar të heshtin, sepse kërkimin e ndihmës e interpretojnë si dobësi. Kjo heshtje, sipas Dr. Asabella, është një nga arsyet kryesore pse shumë probleme të shëndetit mendor mbeten të patrajtuara për vite me radhë.
Shpesh traumat nisin që në fëmijëri. Abuzimet seksuale, mungesa e figurës mashkullore në familje apo përvojat e vështira gjatë adoleshencës lënë plagë të thella psikologjike. Por në vend që të trajtohen, këto plagë mbeten të fshehura pas maskës së “burrërisë”.
Në jetën e përditshme, presioni për të qenë mbajtësi kryesor i familjes dhe sfidat në punë shtojnë edhe më shumë ngarkesën emocionale. Kur këto probleme nuk trajtohen, ato shpërthejnë në forma të tjera: agresivitet, irritim, varësi nga alkooli, depresion apo izolim social.
Psikiatrja solli edhe raste konkrete nga praktika e saj. Një burrë 42-vjeçar u paraqit me kriza paniku të shoqëruara me simptoma kardiake dhe frikë të fortë nga vdekja. Një tjetër, rreth 50 vjeç, për shkak të ankthit u izolua nga jeta për gjashtë muaj, duke humbur lidhjet me familjen dhe shoqërinë.
Shenjat që paralajmërojnë probleme të shëndetit mendor tek burrat shpesh janë pagjumësia, mungesa e energjisë, nervozizmi, ndryshimet në sjellje dhe pragu i ulët i irritimit. Por shumë prej tyre zgjedhin të mos flasin.


