TIRANË- Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Mentor Beqa, i ftuar në “Real Story” paralajmëron se një përfshirje e Turqisë në konflikt me mund të shkaktojë menjëherë reagim nga vendet e NATO-s.
Ai theksoi dy elemente kryesore nga deklarata e ashpër e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi dy sulmeve me raketa balistike.
Megjithatë, Beqa shpjegon se Izraeli nuk ka kapacitet për të nisur një front të ri lufte, pasi do të ishte e pamundur dhe e pakuptimtë.
Ai shtoi se, edhe në rastin më ekstrem që konflikti të përshkallëzohej në një luftë gjithëpërfshirëse, nuk ka aktorë të besueshëm që do të donin një përplasje mes Izraelit dhe Turqisë, dhe SHBA do të vepronin me kujdes për të shmangur një përshkallëzim të tillë.
“Nëse Turqia futet në konflikt, ne jemi në konflikt menjëherë, sepse është një territor i NATO-s që është sulmuar. Neni 5 detyron vendet anëtare të NATO-s të përfshihen në këtë konflikt për t’i ardhur në ndihmë Turqisë. Kjo është e pashmangshme.
Dua të ndaloj dy elemente që theksoi presidenti turk. Në rastin e parë të raketës, nuk kishte një deklaratë nga presidenti, por iu besua një deklarate të ministrit të Jashtëm. Në këtë rast, kemi një deklaratë të ashpër të Erdoganit, i cili e shprehu në dy linja. E para, në raport me Iranin, e paralajmëroi në mënyrë përfundimtare që kjo gjë nuk duhet të ndodhë në raport me Turqinë; dhe së dyti, paralajmëroi që askush nuk duhet të bjerë në kurthin e Izraelit për t’i vënë flakën Lindjes së Mesme.
Qëkur ka filluar lufta në Gaza, brenda Izraelit, në qarqet e sigurisë diskutohet mbi rrezikun e Turqisë dhe kthimin e saj në një “Iran të ri”, sipas tyre. Në mënyrë të veçantë, aleanca e Turqisë dhe Katarit, ku influenca financiare e Katarit bashkohet me atë të Turqisë, përbën një kërcënim serioz për Izraelin, sipas pikëpamjes së tyre, dhe ata kanë përgatitur opinionin publik kundër Turqisë. Asgjë nuk përjashtohet.
Izraeli nuk ka kapacitet për të nisur një front të ri lufte, sepse do të ishte e pamundshme dhe e pakuptimtë. Nëse do të kishte një moment kur lufta mund të kthehej në një konflikt gjithëpërfshirës dhe pastaj mund të flitej për një luftë botërore, ai moment do të ishte tani. Por nuk besoj se ka aktorë të besueshëm që do të donin të shihnin një përplasje mes Izraelit dhe Turqisë, dhe SHBA do të ishin të kujdesshme për të shmangur diçka të tillë.”, tha ai./abcnews.al


