8 Marsin, kryeministri Edi Rama e nisi me një urim të veçantë për vajzat dhe gratë shqiptare.
“Ndaj, nuk më mbetet veçse të uroj nga zemra, jo vetëm Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë, për të gjitha nënat, motrat, gjyshet, vajzat shqiptare, jo vetëm t’i falenderoj për gjithçka bëjnë, por edhe të uroj me gjithë zemër që pjesëmarrja e tyre të rritet, angazhimi i tyre të rritet dhe çfarë ato i sjellin Shqipërisë, të jetë dhe më shumë, falë rritjes së pjesëmarrjes dhe angazhimit të tyre.”
Kryeministri Rama informoi për situatën e sulmeve në Lindjen e Mesme. Ai tha se prioritet është siguria e qytetarëve shqiptarë, por problemi kryesor mbeten fluturimet për ti kthyer në atdhe.
“Përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshme qoftë me ne, qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për ta monitoruar situatën, për të informuar dhe për të asistuar. Ndërkohë që, çështja kyç e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë.”
Sa për lajmet se Irani mund të sulmojë Shqipërinë. Rama e konsideroi një gënjeshtër me qëllim për të ushqyer shpresa se me raketa do e rrëzojnë nga pushteti.
“Sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi “regjimi i Edi Ramës”.


