Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kurti thellon përplasjen me Osmanin/ Dështon të përdorë emrin e saj si kandidate alternative për Presidente

schedule11:42 - 5 Mars, 2026

schedule 11:42 - 5 Mars, 2026

Në mes të tymnajës për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në Kosovë, një gjë është e qartë: lufta politike mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ka filluar.

Deri në orët e fundit të së mërkurës, në Kuvend pritej një seancë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, e cila u anulua për shkak të mospasjes së dy kandidatëve për garën për president, siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese.

Lajmërimi se nuk do të kishte seancë u bë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa vetëm dy orë përpara saj, Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook njoftoi qytetarët se Glauk Konjufca ishte kandidati i tyre për president.



“Nuk ka seancë, sepse kam vetëm një kandidat për president (nuk ma lejon vendimi i Gjykatës Kushtetuese)”  tha Albulena Haxhiu.

Menjëherë pas saj, Albin Kurti nxori në skenë kryetaren e grupit parlamentar të partisë së tij, Arbërie Nagavci, e cila në një deklaratë për shtyp lajmëroi se presidentja Osmani e kishte refuzuar ftesën e Vetëvendosjes për t’u bërë kandidate për presidente.

“I kemi ofruar Osmanit 30 nënshkrime, por ajo nuk i ka pranuar.”tha Abërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të VV

Ky lajm u përgënjeshtrua shpejt nga këshilltarja e presidentes, Meliza Haradinaj.

“Lajmi i keq është se VV nuk e sheh zonjën Osmani si bashkëpunëtore të tyre, si aleate dhe si kandidate të tyre për t’u zgjedhur presidente, por e shohin vetëm si instrument për të plotësuar kuorumin.” u shpreh Meliza Haradinaj.

Ajo konfirmoi se një ftesë për t’u bërë kandidate i kishte ardhur Osmanit vetëm në minutat e fundit, ndërsa nënshkrimet për të do të ishin vetëm formale, sepse askush nuk i kishte siguruar paraprakisht votat përballë garës me Glauk Konjufcën.

Pra, e gjitha një teatër absurd, që në thelb do ta nxirrte Kurtin të larë përpara asaj pjese të elektoratit që e ndan me Osmanin dhe të qetë shpirtërisht për eliminimin e saj politik.

Hipokrizia nuk përfundon këtu: shefja e grupit parlamentar të VV madje njoftoi publikisht se do t’i japë nënshkrimet që i mungojnë partive opozitare për ta kandiduar Osmanin, nëse ata dëshirojnë, duke futur në lojë edhe PDK dhe LDK, të cilat gjithsesi nuk kanë qenë të qarta në qëndrimet e tyre përballë zhvillimeve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Në rast se deri në mesnatën e kësaj të enjteje nuk dorëzohet një kandidat i dytë për president, seanca për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk fillon dhe kjo detyron Kuvendin të shpërndahet për të shkuar automatikisht në zgjedhje brenda 45 ditëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!