KOSOVË- E papërgatitur dhe në pritje të propozimit të Albin Kurtit është opozita në Kosovë, për çështjen që lidhet me presidentin.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deklaroj se partia e tij po fokusohet në parime dhe standarde dhe jo në emra konkretë, edhe pse koha për të folur me emra të përveçëm ka ardhur: vetëm 6 ditë larg afatit fundor për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Ende nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm, nuk kemi folur as dje, nuk po flasim as sot, por mendoj se vullneti i PDK-së është që kontribuojë në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë. Por nëse nuk do të mundej me u gjet dikush, ose nuk ka më pas disponim prej forcës kryesore politike, PDK është gatshme gjithashtu me shku në zgjedhje”, u shpreh shefi i grupit parlamentar, të PDK Arian Tahiri.
Kur u pyet nëse presidentja aktuale, Vjosa Osmani, i plotëson këto kushte, Tahiri deklaron se vendit nuk i bënë nder një emër që ka pasur sipas tij një qasje të njëanshme.
“Nuk është se po du me u lëshu në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder një emër që ka pas qasje të njëanshme dje, dikush që përfaqëson veç një grup apo subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike. Në këtë nivel jemi duke folur në parime dhe standard”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentare është shfaqur po ashtu i painformuar nëse mes kreut të partisë së tij dhe Kurti do të ketë apo jo një takim ditët në vijim.
Vjosa Osmani është e vetmja që ka shprehur ambiciet për të kandiduar për një mandat tjetër pesëvjeçar. Për të zyrtarizuar kandidaturën, duhet të mbledhë tridhjetë nënshkrime deputetëve. Madje, për t’u thirrur seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, duhet të ketë dy kandidatë të zyrtarizuar me nga 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit, ndryshe vendi shkon në zgjedhje jo më larg se 45 ditë nga një tjetër dështim politik./abcnews.al/


